Ministria Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në përkrahjen e Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), organizuan tryezën e diskutimi me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, ku u publikua raporti, “Ndikimet Socio-Ekonomike të Covid-19 në Komunat dhe Bizneset e Kosovës”.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elebert Krasniqi, nënvizoi se ky raport është pjesë e planit strategjik operacional të MAPL-së, duke synuar mbështetjen ndaj komunave në përballjen me pandeminë COVID-19. Përmes këtij raporti janë identifikuar dhe adresuar sfidat e Komunave në përballje me pandeminë Covid-19, dhe në bazë të këtyre të gjeturave inkurajohen Komunat të hartojnë planet e rimëkëmbjes ekonomike lokale bazuar në udhërrëfyesin e hartuar nga MAPL-ja.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Valmir Gashi, theksoi se ndonëse kemi kaluar një fazë jo të lehtë me COVID-19, është për t’u vlerësuar përkushtimi i MAPL-së dhe komunave në menaxhimin dhe operacionalizimin e masave parandaluese për COVID-19.
Ndërsa, Zv/Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, Venera Çerkini, theksoi se edhe përkundër sfidave të pandemisë, komunat kanë arritur të sigurojnë qëndrueshmërinë e funksionimit dhe të ofrojnë shërbime efikase për qytetarët.
Raporti i hartuar nga MAPL-ja dhe UNHABITAT-i, përdor një qasje të sintetizuar, ku pasqyron ndikimin e COVID-19, në Komuna. Njëkohësisht, ofron të dhëna si mjete për reagim karshi efekteve negative të pandemisë dhe masave afatgjata të rimëkëmbjes, për t’i orientuar investimet për zhvillim të komunave.
Instituti KLGI u është u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit “Dialogu për Komunat Evropiane (DEM)”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.