Nëpërmes konferencës rajonale, me pjesëmarrjen e autoriteteve qendrore, lokale, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), lansoi platformën e ‘Forumit Rajonal i Dialogut dhe Bashkëpunimit’. Instituti KLGI synon të rris bashkëpunimin dhe dialogun ndërmjet autoriteteve lokale në rajon.
Në hapje të konferencës, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Valmir Gashi, theksoi se nëpërmjet këtij forumi synohet që dialogu, bashkëpunimi dhe komunikimi të shtrihet në forcimin e agjendës zhvillimore dhe euro-integruese, në shkëmbimin e informacionit, njohurive, praktikave dhe modeleve në proceset reformuese dhe euro-integruese, në identifikimin dhe nxitjen e bashkëpunimit në programe dhe qasje në fondet zhvillimore.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, shpjegoi vizionin e MAPL-së për avancimin e qeverisjes lokale.
Ndërsa, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl, duke mbështetur një nismë të tillë, theksoi rëndësinë e forcimit dhe mbështetjes së strukturës strategjike të qeverisjes lokale.
Në panelin e parë me temën “Qeverisja lokale ne Agjendat Nacionale”, prezantuan dy Zëvendëskryeministrat e Parë, nga Republika e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Besnik Bislimi dhe Artan Grubi.
Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, paraqiti vizionin e qeverisjes qendrore në forcimin e nivelit lokal, duke synuar implementimin e projekteve të cilat ndikojnë në zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ndërsa, Zëvendëskryeministri e Parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, theksoi se takime të tilla janë mundësi e mirë për të bërë evaluimin e punës së deritanishme në këtë drejtim dhe për të shkëmbyer përvojat institucionale mbi këto procese dinamike.
Ndërkaq, në panelin e dytë me temën “Autoritetet Lokale në rajon, nismat dhe procesi euro-integrues”, prezantuan: Koordinatori i Programeve në Institutin KLGI, Sadri Rrmoku, Sekretarja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Venera Çerkini, Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, Drejtoresha Ekzekutive e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Andriola Kambo, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi dhe Zëvendësi i Kryetarit të Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.