Instituti KLGI është duke ndjekur procesin e Ligjit për Kryeqytetin/Prishtinën dhe vlerëson se Komisionet e Kuvendit duhet ta trajtojnë këtë proces seriozisht dhe pa vonesa. Historiku i Ligjit dhe problemet tashmë e dhjetë vite po kthehen në pengesë për funksionalitet të Kryeqytetit.
Si i tillë, Ligji për Kryeqytetin/Prishtinën nuk është instrument i çështjeve simbolike, e aq më pak i elementeve që krijojnë paqartësi kushtetuese. Ligji për Kryeqytetin/Prishtinën është obligim kushtetues, është element që paraqet shtetësinë duke rregulluar funksionimin e kryeqytetit, dhe para së gjithash është instrument që i shërben banorëve dhe vetë kryeqytetit për funksionalitet.
Ligji për Kryeqytetin/Prishtinën nuk duhet ndalur nga pengesat që dalin rrugës. Komisionet e Kuvendit pa vonesa duhet ti adresojnë çështjet sfiduese dhe të prodhojnë zgjidhje për ti hapur rrugë votimit në Kuvend. Futja e neneve të paqarta e rikthen debatin për Ligjin e Kryeqytetit/Prishtinës në pikën zero dhe si i tillë, zvarritja e procesit nuk është në shërbim të kryeqytetit, e as përmbushjes së obligimeve kushtetuese. Ky Ligj duhet të trajtojë sistemin e qeverisjes lokale, por jo domosdo duhet të kufizohet në çështjet që i japin funksionalitet Prishtinës.
Për Institutin KLGI, Ligji për Kryeqytetin/Prishtinën ka tri elemente kyçe: e para, se përmbush obligimin kushtetues që të kemi rregullim të veçantë për Kryeqytetin; e dyta, se ofron kompetenca shtesë në çështjet që i ofrojnë funksionalitet kryeqytetit; dhe e treta, që kërkon trajtim të veçantë nga institucionet qendrore.
Çështjet e veçanta që dalin sfiduese në Ligj, qoftë departamenti i veçantë në kuadër të policisë për Kryeqytetin, qoftë licencimi i nivelit sekondar të shëndetësisë, janë elemente që duhet trajtuar brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor. Këto elemente nuk duhet rrezikuar parimet kryesore të funksionimit të qeverisjes lokale, por përbrenda këtij kuadri duhet prodhuar zgjidhjet më të mira që ofrojnë funksionalitet, qoftë në ofrimin dhe menaxhimin e shërbimeve publike dhe administrative apo çështjeve sektoriale që dalin si nevojë e kryeqytetit.
Futja e çfarëdo elementi tjetër që nuk lidhet me frymën e Ligjit për Kryeqytetin hap debat dhe paraqet pengesa në aprovimin e Ligjit edhe ashtu një dekadë të vonuar. Para se të jetë vetëm e banorëve, Kryeqyteti/Prishtina është përfaqësia kryesore institucionale, diplomatike kulturore dhe arsimore.
Andaj është e rëndësishme që të gjithë mekanizmat institucionalë dhe akterët publikë ta japin mbështetjen e tyre për këtë proces në mënyrë që të përmbushet obligimi kushtetues dhe ti jepet funksionalitet kryeqytetit. Në të kundërtën, çdo qasje tjetër pengon zgjidhjen e shpejt të kësaj çështjeje.