Kroacia, model i favorshëm për reformimin e qeverisjes lokale

Gjatë vizitës pesë ditore në Kroaci, vijuesit e Akademisë për Qeverisje Lokale të organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) u njohën me modelin funksional të qeverisjes lokale e spikatur nga politikbërja efikase buxhetore e decentralizuar dhe në favor të drejtëpërdrejtë të qytetarëve, si edhe e karakterizuar me autonomi të plotë të zhvillimit të politikave dhe implementimit të politikave nga niveli kombëtar në atë lokal me bashkëpunim të ngushtë me nivelin qendor.

15-20 Qershor, 2015, Kroaci. Në kuadër të Akademisë për Qeverisje Lokale, gjenerata e IV e këtij programi të  dizajnuar dhe implementuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, u finalizua me sukses vizita studimore në Kroaci e 40 përfaqësuesve të zgjedhur dhe atyre ekzekutiv nga komunat e ndryshme të Kosovës, vijues të Akademisë për Qeverisje Lokale (LGA).

Gjatë vizitës pesë ditore, vijuesit e Akademisë për Qeverisje Lokale në takime të ndara të punës dhe në diskutime me zyrtarë të lartë shtetëror të qeverisjes lokale, të institucioneve qëndrore, si dhe përfaqësues të prezencës ndërkombtare në këtë vend, arritën të trajtojnë për së afërmi modelin Kroat të qeverisjës lokale si dhe të arriturat e sfidat e këtij modeli.

Konkretisht, vijuesit e Akademisë për Qeverisje Lokale, nga këto takime arriten të mësojnë për: punën e prefekturës së Zagrebit, rolin e Kuvendit të Zagrebit, rëndësinë e nivelit regjional të Zagrebit të njohur si Zhupania, qeverisjen lokale në Rijekë, funksionet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Integrimit. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite, vijuesit e Akademisë për Qeverisje Lokale, mundën të njihen për së afërmi edhe me misionet e Ambasadës Norvegjeze, dhe me stafin e Fridrich Erbert Stiftung (FES) në Kroaci.

Si rezultat i punës së përbashket studimore në këtë vizitë, vijuesit e Akademisë për Qeverisje Lokale, Drejtori Ekzekutiv të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, z. Besnik Tahiri, si dhe stafi menaxherial i programit Akademia për Qeverisje Lokale, konkludojnë se:

·         Qeverisja lokale në Kroaci ka elemente të krahasueshme me qeverisjen lokale në Kosovë. Pavarësisht dallimeve nga modeli i qeverisjes lokale në Kosovë, modeli kroat është i dizajnuar që të sigurojë përfaqësim sa më efikas demokratik, si dhe të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik. Në këtë drejtim vlen të vecohen dy elemente të rëndësishme, që janë: politikbërja buxhetore dhe targetimi më i mirë i grupeve të disfavorizuara, si dhe ekzistenca e strukturave regjionale, të cilat si funksion themelor të tyre kanë të sigurojnë që zhvillimi lokal të jetë sa më i balansuar;

 

·         Në aspektin e rregullimit formal, modeli Kroat mu sikurse ai i Kosovës, bazohet në parime dhe rregullative evropiane përkitazi me qeverisjen lokale, mirëpo, përdersia modeli Kroat është dizajnuar që të jetë një model funksional dhe efikas, cka dëshmohet me sukseset e pa numërta të qeverive lokale në Kroaci, në Kosovë, qeverisja lokale për shkak të mungesës së funksionalitetit, nuk po arrin që me efikasitet të sigurojë rezultate që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Pjesë e këtij jo funksionaliteti janë edhe marrëdhëniet komplekse dhe burokratike të nivelit lokal me atë qëndror në Kosovë, gjë që nuk është rasti me modelin Kroat;

·         Përderisa modeli Kroat, përpos decentralizimit fiscal, të përcjellë me pavarësi të organeve të qeverisjës lokale në planifikim dhe menaxhim të resurseve financiare, siguron edhe praktika efikase në implementim dhe operacionalizim të politikave të mbështetura në këto praktika financiare, në modelin e qeverisjës lokale në Kosovë kemi një diskrepancë të madhe mes zbritjes së kompetencave në nivel lokal kundrejt një tendence të centralizimit të mjeteve nga niveli qëndror;

·         Ndryshe nga modeli i Kosovës i qeverisjes lokale ku Kryetari në nivel të qeverisjës lokale është  një model paksa arbitrar dhe diktues i rolit të kryetarit, kjo në dëm të institucionit të Kuvendit,  modeli Kroat synon të ofrojë një balancë si në planifikim dhe implementim, duke i mundësuar Kryetarit që deri në një masë të caktuar të këtë pavarësi funksionale të mbeshtetur në financa, por vetëm deri një një masë. Në modelin Kroat, në raste kur Kuvendi dhe Kryetari nuk kanë politika të harmonizuara financare, zgjedhjet shihen si zgjidhje. Në Kosovë, i gjithë ky proces vazhdon të mbetet i deformuar dhe i përcjellë me bllokada dhe cilësi të pa dëshiruar demokratike dhe qeverisëse;

·      Ndryshe nga Kosova, ku qeverisja lokale nuk është në fokus të institucioneve qëndrore, modeli Kroat i qeverisjës lokale është i dizajnuar që të përkthejë me efikasitet planet kombëtare dhe ato sektoriale. Gjithashtu, në implementim të këtyre planeve, institucionet qëndrore dhe ato lokale veprojnë në partneritet, e kjo në Kosovë nuk është një praktike e shpeshtë.

Vlen të theksohet se lista e plotë e gjetjeve nga kjo vizitë studimore si dhe e temave të trajtuara gjatë programit Akademia për Qeverisje Lokale IV, do të jetë subjekt i një diskutimi publik në të ardhmen e afërt.

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale së bashku me vijuesit e Programit Akademia për Qeverisje Lokale pritet të jenë nikoqir të vizitave kthyese nga përfaqsues të qeverisjes lokale në Kosovë.

Akademia për Qeverisje Lokale është një program edukativ, i cili ka për qëllim që të fuqizojë kapacitetet dhe cilësine e qeverisjës lokale në nivel të Kosovës, dhe mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Kosovë dhe Friedrich Ebert Stiftung.

Zyra për marrëdhënie me publikun  Institutit të KLGI-të

Lini një Përgjigje