Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër – Angli, të mërkurën dhe të enjten kanë zhvilluar një seri vizitash në institucionet qendrore e lokale në Kosovë e Maqedoni, për t’u njohur me sukseset dhe sfidat e qeverisjes lokale. Përfaqësues nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale ishte z. Besnik Tahiri, Drejtor Ekzekutiv i KLGI-së. Ndërkaq, përfaqësuesit nga LGiU ishin z. Jonathan Carr-West, Drejtor Ekzekutiv i Institutit dhe z. Andy Johnston, Shef i operacioneve.
Drejtuesit e dy instituteve KLGI dhe LGiU gatë qëndrimit në Maqedoni fillimisht janë takuar me ministren e Qeverisjes Lokale Republikën e Maqedonisë, znj. Shiret Elezi, me të cilën biseduan për problematikat në nivel lokal. Në këtë takim, përfaqësuesit u njohën me sukseset dhe sfidat që përballet Republika e Maqedonisë në këtë fushë dhe kjo shërbeu si mundësi e mirë për bashkëpunim më të mirë nga të dyja palët për të përmirësuar qeverisjen dhe fuqizimin e nivelit lokal.
Po këtë ditë (e mërkurë), drejtuesit e KLGI-së dhe LGiU-së vazhduan me takimin e radhës në Asociacionin e Komunave në Republikën e Maqedonisë të cilët u pritën nga znj. Dusica Perisic, Drejtoreshë Ekzekutive në BNJVL. Pas kthimit nga Maqedonia, ata kanë vizituar Komunën e Hanit të Elezit, ku janë pritur nga kreu i kësaj komune Rufki Suma.
Ndërkaq, gjatë ditës së enjte të dy institutet KLGI dhe LGiU vazhduan takimet në institucionet qendrore e lokale në Kosovë. Fillimisht ata vizituan Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ku u takuan me Rozafa Ukimeraj, u.d. Sekretare e Përgjithshme.
Ukimeraj tha se duhet të bëhen reforma territoriale siç është duke u punuar edhe me ligjin e Prishtinës në mënyrë që të zhvillohen ide. Sfida kryesore e funksionalitetit të duhur është e lidhur me decentralizimin fiskal. Për më shumë, fushat kryesore që kanë nevojë për mbështetje në nivel lokal janë planifikimi strategjik dhe menaxhimi i projekteve.
Po ashtu, gjatë ditës vizitën e kanë vazhduar në Komunën e Prishtinës, ku janë pritur nga kryetari i Komunës, z. Shpend Ahmeti. Kryetari Ahmeti, ka thënë se kryetarët e komunave janë të fuqishëm dhe kanë autoritet si individë, mirëpo qeveritë në nivelin lokal në Kosovë nuk janë më të vërtetë të fuqishme në aspektin e pavarësisë nga niveli qendror. Ai tha se sfida kryesore në kryeqytet tani është Ligji për Prishtinën.
Gjithashtu, takimet vazhduan edhe me dy kryetarët, atë të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, dhe të Komunës së Kamenicës, z. Begzad Sinani. Gjatë takimit me kryetarin e Gjilanit, z. Lutfi Haziri, u diskutua për reformat e qeverisjes lokale, legjislaturën, transformimin publik dhe decentralizimin.
Duhet theksuar se Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe Instituti për Demokraci Lokale dhe Informim (LGiU) me seli në Londër, të enjten nënshkruan memorandum bashkëpunimi për partneritet strategjik. Qëllimi i memorandumit është që Institutet KLGI dhe LGiU në të ardhmen të vazhdojnë dhe thellojnë bashkëpunimin për të përmirësuar qeverisjen dhe fuqizimin e nivelit lokal.