Me ftesë të Institutit KLGI, nën koordinimin e drejtorit ekzekutiv z. Besnik Tahiri, një delegacion i lartë nga Mbretëria e Jordanisë po qëndron në Republikën e Kosovës në datat: 6 – 9 dhjetor. Ky përfaqësim udhëhiqet nga Ministri i Punëve të Brendshme, z. Salameh Hammad me bashkëpunëtorë.
Ministri Hammad dhe delegacioni sot zhvilluan agjendën me takime të nivelit të lartë institucional dhe ministritë sektoriale. Qëllimi i kësaj vizite studimore është njohja dhe familjarizimi me praktikat e mira në fushën e reformave institucionale; angazhimin dhe përpjekjet institucionale në ofrim të shërbimeve cilësore; si dhe procesin e decentralizimit dhe funksionimit të qeverisjes lokale në Kosovë.
Në takimin e parë pritës, Ministri Hammad takoi homologun Kosovar, Ministrin Skënder Hyseni. Në fokus të diskutimit ishte progresi që ka bërë Kosova dhe ministria përkatëse përmes shërbimeve nëpër Komuna, duke vendosur standarde të larta të funksionimit. U fol po ashtu edhe për shkëmbimin e përvojave dhe sferat tjera që lidhen me shërbimet dhe sigurinë, me theks në nivelin lokal. Jashtë agjendës nuk mbetën edhe çështjet e përgjithshme të sigurisë dhe sfidat globale në këtë fushë.
Në takim me Kryetarin e Kuvendit z. Kadri Veseli, Ministri Hammad dhe delegacioni Jordanez diskutuan lidhur me progresin që ka bërë Kosova në Legjislacion dhe avancimin e frymës demokratike dhe qeverisjes lokale funksionale. Përderisa, delegacioni Jordanez prezantoi përpjekjet e Mbretërisë së Jordanisë në fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe decentralizimit pas adaptimit të dy ligjeve. Gjithashtu në fokus ishte edhe thellimi i bashkëpunimit dhe miqësisë në mes të dyja vendeve.
Nga takimi me Kryeministrin z. Isa Mustafa, theks u vendos në reformat sektoriale që ka bërë qeveria e Kosovës në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Me këtë rast, kryeministri Mustafa, tregoi përkushtimin që ka qeveria në funksion të avancimit strategjik dhe ekonomik qoftë nëpërmes përkrahjes direkte për nivelin lokal, avancimin e politikave dhe programeve. Për delegacionin Jordanez, takimi ishte në koherencë me përpjekjet e Qeverisë së Jordanisë për të fuqizuar reformat politike dhe institucionale, decentralizimin dhe ofrimin e shërbimeve më të mira në nivel lokal dhe rajonal. Në takim u theksua se Kosova ka vullnet të shpërndajë praktikat e mira dhe të rrisë bashkëpunim në shumë fusha.
Në përmbyllje të ditës së parë të vizitës nëpër institucionet qendrore, delegacioni Jordanez mbajti një takim të fokusuar dhe përmbajtësor në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Në takim u pritën nga zv. Ministri z. Bajram Gecaj dhe Sekretarja e Përhershme znj. Rozafa Ukimeraj. Po ashtu e prezantua puna dhe angazhimi i MAPL në funksion të avancimit të politikave dhe legjislacionit për nivelin lokal. U tha se ekziston përkushtim i plotë i kësaj ministrie në avancimin e mëtejmë të legjislacionit, programeve dhe politikave në shërbim të fuqizimit të nivelit lokal.
Pjesë e delegacionit janë edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare USAID dhe NDI në Jordani që angazhohen në përkrahje të qeverisë Jordaneze në reforma.
Vizita do të vazhdojë edhe ditën në vijim, ku takimet e nesërme do të fokusohen në rolin e komisioneve funksionale të Kuvendit dhe në rolin mbështetës të organizatave ndërkombëtare në demokratizim dhe avancim të qeverisje së mirë.