Institutit KLGI mbajti sesionin trajnues me temën “Ngritja e kapacitetit të Zyrave të auditorit të brendshëm për monitorim, vlerësim dhe këshillim”, i cili bëri bashkë akterët komunalë dhe të nivelit qendror për të adresuar sfidat dhe mundësitë në përmirësimin e procesit të auditimit të brendshëm.
Pjesëmarrës në këtë sesion ishin Auditorët e Brendshëm nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Për më tepër, sesioni trajnues kishte për fokus Zyrat e auditorit të brendshëm me qëllim të promovimit të rolit të tyre, përmirësimit të komunikimit si dhe njohjen me standardet ndërkombëtare për praktikat profesionale të auditimit të brendshëm.
Punëtoria ishte në funksion të përkrahjes së Zyrave të auditorit të brendshëm në përmirësimin e proceseve të mbikëqyrjes, kontrollit dhe rekomandimit në mënyrë që të rriten standardet e auditimit.
Lidhur me këtë në hapje të sesionit, z. Sadri Rrmoku nga Instituti KLGI theksoi se komunat, në veçanti kryetarët duhet të angazhohen fuqishëm në themelimin dhe funksionalizimin e këshillave të auditimit dhe fuqizimin e auditorëve të brendshëm si sinjalizues dhe parandalues të shkeljes procedurale dhe ligjore në aspektet financiare.
Ndërkaq planet strategjike dhe planet e veprimit duhet të jenë proces i konsultimit dhe analizimit të vazhdueshëm nga këshillat e auditimit dhe auditorët. Kontrolli i brendshëm, para së gjithash, duhet që në proces të përmirësojë, adresojë dhe rris standardet e mënyrës së shpenzimit financiar në raport me proceset që ndodhin në komuna. Andaj, synimi është që përmes shpalosjes së problemeve nga komunat të dalin rekomandime konkrete për të lehtësuar dhe përmirësuar procesin e kontrollit të brendshëm financiar.
Drejtori i Departamentit Qendror Harmonizues në Ministrinë e Financave, z. Kosum Aliu, foli për sigurimin e cilësisë së auditimit të brendshëm, i cili theksoi se janë duke ndërmarrë reforma në fushën e financave publike me objektiv për të sjellë sistemin e kontrollit të brendshëm financiar publik të Kosovës më afër Bashkimit Evropian, praktikave më të mira dhe standardet ndërkombëtare për të përmirësuar llogaridhënien menaxheriale në organizatat e sektorit publik dhe për të rritur transparencën e shpenzimeve të parave të tatimpagueseve.
Objektivat kyçe të Ministrisë Financave janë fokusuar në ngritjen e kapaciteteve nga tri aspekte: Ngritja e kapaciteteve nga aspekti legjislativ – llogaridhënia menaxheriale; Ngritja e kapaciteteve nga aspekti strukturor dhe ngritja e kapaciteteve në aspektin e ngritjes së kualitetit të punës së auditorëve të brendshëm me qellim të ofrimit të shërbimeve kualitative dhe dobishmërisë për menaxhmentin.
Ky aktivitet u organizua në vazhdën e aktiviteteve të Institutit KLGI në shërbim të komunave për të avancuar menaxhimin financiar, parasegjithash për planifikimin financiar në nivel lokal, ekzekutimin, zhvillimin ekonomik lokal dhe planifikimin strategjik që po bëhet në kuadër të komunave. Instituti KLGI dhe akterët u dakorduan për nevojën e zgjerimit të konsultimeve nëpërmjet një forumi të përbashkët në këtë fushë.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.