Në kuadër të programit “Akademia për Qeverisje Lokale – LGA”, pjesëmarrësit e gjeneratës së dhjetë, patën rastin që të diskutojnë temën “Roli i Marrëdhënieve me Publikun në Qeverisje Lokale”.
Në sesione të ndara u diskutua për komunikimin efektiv mes akterëve lokalë, përfshirë marrëdhëniet me publikun dhe mediat.
Transparenca, bashkëpunimi, dialogu i hapur e besimi janë ndër elemente kryesore të komunikimit efektiv me publikun. Para së gjithash, shkëmbimi i informacioneve zvogëlon burokracinë për qytetarët, modernizon proceset e punës dhe pasuron formulimin, implementimin dhe vlerësimin e politikave.
Sigurimi i informacioneve për qytetarët mbi prioritetet, programet dhe aktivitetet rrisin gjasat që autoriteti publik të shihet si legjitim nga qytetarët dhe grupet e interesit, duke kontribuar në fuqizimin e politikave lokale. Po ashtu, ndihmon të zgjedhurit dhe administratën në vendimmarrje të informuar.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit “Dialogu për Komunat Evropiane (DEM)”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.