Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe portali INFOKOMUNA lansuan buletinin informativ komunal “Mujori i Komunave”. Ky është numri i parë i këtij buletini, i cili pasqyron kronologjinë e ngjarjeve dhe aktiviteteve për 30 ditë të shtatorit 2016. Në këtë aktivitet kanë prezantuar edhe zyrtarët komunal për marrëdhënie me publikun.
“Mujori i Komunave”, përveç si mënyrë e pasqyrimit të punës së komunave, njëkohësisht shërben si formë e shkëmbimit të përvojave dhe mjet i adresimit dhe avokimit të komunave tek institucionet qeveritare dhe akterët tjerë që angazhohen dhe operojnë në, ose së bashku me nivelin lokal.
Njëkohësisht, në këtë ngjarje u prezantuan edhe disa nga gjetjet të cilat janë identifikuar gjatë procesit të punës në buletin dhe në portalin INFOKOMUNA. Këto të dhëna tregojnë se pavarësisht progresit të vazhdueshëm, komunat ende përballen me sfida në raportim dhe komunikim me publikun.
Ekziston një varg i problemeve nisur nga mungesa e kapaciteteve në staf, aspektet teknike dhe logjistike. Zyrat për marrëdhënie me publikun gjenden në mes presionit në rritje për informim dhe komunikim të vazhdueshëm dhe mundësive reale për të ofruar një qasje të lehtë dhe gjithëpërfshirëse për publikun.
Kjo vjen si rrjedhojë e një problemi serioz me standardizimin dhe dinamizmin e tyre në raport me trendet e reja të komunikimit. Aspekt tjetër i veçantë është edhe përdorimi i rrjeteve sociale, me theks “facebook”, si mjeti më masiv i komunikimit, ku vetë zyrat për informim nuk e kanë plotësisht në mandatin e tyre këtë formë komunikimi.
Si pasojë e gjithë kësaj, disa komuna kanë filluar të kërkojnë shtigje të reja të komunikimit nëpërmjet dublifikimit të ueb faqeve. Ndërkaq, tek rrjetet sociale ende ekziston një qasje ad-hoc dhe vetëm e vullnetit të këtyre zyrave, pa ndonjë platformë ose udhëzim për përdorim.
Andaj, Instituti KLGI dhe portali INFOKOMUNA, nëpërmjet projektit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale” në koordinim me komunat dhe ministritë sektoriale do të hartojë një udhëzues për standardizim dhe komunikim efektiv.
Po ashtu, do të rrisë kapacitetet profesionale dhe koordinuese të zyrave për marrëdhënie me publikun në raport me akterët tjerë lokal. Kjo do të bazohet në praktikat rajonale dhe trendet ndërkombëtare të komunikimit, transparencës dhe llogaridhënies.
“Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”.