Në kuadër të projektit ‘Partneriteti për Auditim Social në Komunë’, qytetarët e Komunës së Ranillugut kanë nisur angazhimin për Auditimin Social të projekteve kapitale të financuara nga Granti i Performancës.
Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale në bashkëpunim me organizatën lokale Center for Social Affirmation of Youth kanë organizuar tranimin për ekipin e auditorëve socialë, të cilët do të përfshihen në këtë proces në Komunën e Ranillugut.
Auditimi Social është një proces që përfshin qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile në vlerësimin e shërbimeve publike dhe projekteve kapitale, duke synuar përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Nëpërmes kësaj iniciative, KLGI synon t’u jep mundësi qytetarëve të jenë pjesë aktive e monitorimit të performancës së qeverisjes lokale, duke shprehur mendimet dhe shqetësimet e tyre, si dhe duke propozuar përmirësime të nevojshme për projektet dhe shërbimet publike.
Roli i auditimit social është kyç në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale. Duke identifikuar problemet dhe mangësitë, ky proces mundëson ndërhyrje të shpejta dhe efikase për përmirësimin e shërbimeve. Gjithashtu, krijon një platformë për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve, duke ndihmuar në ndërtimin e besimit dhe përkushtimit për zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.
Projekti për Auditimin Social zhvillohet në mbështetje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).