Në kuadër të programit LGA Empower, Instituti KLGI sot mbajti sesionin e parë të grupit tematik: “Shërbimet Publike,” me qëllim të identifikimit të problemeve, rrjetëzimit, avokimit dhe adresimit të tyre te nivelet e tjera të qeverisjes.Me këtë rast, u adresuan një mori çështjesh siç janë; unifikimi i standardeve të ofrimit të shërbimeve, raportet shërbime publike – ndërrmarje publike, llogaridhënia dhe buxhetimi.
Grupi tematik adresoi nevojën për avokim të ri-shikimit të decentralizimit, duke përfshirë sektorë funksional. Është e rëndësishme të adresohet nevoja për rregullativë ligjore kompakte sa i përket shërbimeve publike ngase një mori direktivash komunale nuk kanë bazë ligjore për funksionim në ofrimin e shërbimeve ndaj publikut. Model unik për këtë mund të merret Kroacia e cila rregullon këtë fushë me legjislacion të veçantë. Andaj, të gjitha temat që do të adresohen, do të promovohen dhe shtyhen te vendim-marrësit kompetent. Si rrjedhojë, grupet punuese do të krijojnë një dokument strategjik i cili do t’u jepet autoriteteve kompetente me qëllim të përmirësimit dhe fuqizimit të nivelit lokal.
Për më tepër, u diskutua edhe lidhur me nevojën për ndërtimin e koordinimit dhe komunikimit mes komunave dhe ndërmarrjeve regjionale, me theks, raportimin e tyre karshi të zgjedhurve komunal. Është e rëndësishme të ndërtohet një hartë e qartë e përgjegjësive dhe vendim-marrjes në mes komunave dhe kompanive publike e private që operojnë në komuna (ujësjellësi, kanalizimi, energjia, etj).
Programi LGA – Empower në fazën e parë nëpërmjet grupeve tematike synon të angazhohet në diskutime të fokusuara, avokim dhe adresim të politikave dhe programe të qëndrueshme sektoriale, në avancimin e politikave funksionale, ofrimin e rekomandimeve dhe opsioneve për akterët që angazhohen në nivelin lokal. Ndërkaq, faza tjetër ka të bëjë me fasilitimin e ekspertëve për grupet tematike, në hartimin e politikave dhe programe të qëndrueshme për nivelin lokal.
Programi mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Kosovë.