Instituti KLGI, vlerëson përkushtimin e Komunave të Kosovës, në operacionalizimin dhe zbatimin e masave parandaluese për COVID-19. Në këtë periudhë të përballimit me epideminë e coronavirusit (COVID-19) dhe izolimin social, Komunat e Kosovës, po e përballojnë mirë situatën e emergjencës e shëndetit publik.
Komunat e Kosovës, përveç ballafaqimit të drejtpërdrejt dhe ofrimit të ndihmës në terren për ekipet shëndetësore, policinë dhe mekanizmat tjerë institucionalë, janë duke luajtur rol kyç edhe në masat parandaluese. Aktualisht shumica e komunave kanë bërë dezinfektimin e hapësirave publike, koordinimin e furnizimit dhe shpërndarjes me mallra, ushqime e medikamente, shmangien e takimeve për ta ruajtur distancën sociale dhe komunikimin efektiv përmes mediave me publikun.
Në të njëjtën kohë, Komunat përmes shtabeve të ngritura të emergjencave, janë duke ndihmuar në identifikimin e kontakteve të personave të prekur me COVID-19, ofrimin dhe koordinimin me donatorët të ndihmave për familjet e izoluara dhe familjet në nevojë.
Për të shtuar edhe më tutje efikasitetin në përballimin e situatës, e në veçanti në rast të përhapjes së rrezikut, Instituti KLGI, rekomandon për institucionet dhe komunat:
o Identifikimin e plotë dhe përditësimin e kontakteve të personave të prekur me COVID-19 sipas vendbanimeve;
o Identifikimin paraprak të veprimeve për komunat në zbatimin e Planit të Reagimit Kombëtar;
o Koordinimin e plotë me bizneset dhe farmacitë për shpërndarjen efikase të furnizimeve në rast të izolimit të komunave.
Në kuadrin e këtyre masave, roli i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe koordinimi me Asociacionin e Komunave të Kosovës, është kyç në zbatimin horizontal të masave dhe efikasitetin e zbatimit.
Është për t’u vlerësuar komunikimi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve që i qartëson komunat për përdorimin e mjeteve financiare në situatën e emergjencës të shëndetit publik. Komunat nuk mund të mbeten peng i paqartësive procedurale për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Duke u bërë thirrje qytetarëve që të zbatojnë me përpikëri masat dhe rekomandimet e institucioneve, Instituti KLGI shpreh gatishmërinë që të mbështesë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës për koordinimin me komunat.