Në kuadër të modulit të katërt të programit edukativ LGA, Instituti KLGI trajtoi politikat sociale dhe ato të punësimit, me fokus kontraktimin e shërbimeve alternative sociale nga partnerë të ndryshëm lokal, në veçanti nga organizata dhe kompani të specializuara.
U theksua se është i domosdoshëm kontraktimi i shërbimeve profesionale për ngritjen e mirëqenies dhe trajtimin e grupeve të margjinalizuara. Kjo duhet të ndodhë me angazhim të drejtpërdrejt në zhvillimin e shërbimeve në harmoni me kërkesat e kategorive sociale, rritjen e bashkëpunimit në mes të institucioneve profesionale, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe hartimin e strategjisë,
politikave, standardeve për politikat sociale në nivel komune. Kjo jo vetëm shton gamën e shërbimeve, por ngrit edhe cilësinë.
Po ashtu u potencua se komunave u është dhënë mandat i qartë që të marrin përgjegjësinë për ofrimin e ndihmës sociale (me përjashtim të pagesës së pensioneve) dhe shërbimeve sociale. Ende ka pengesa dhe paqartësi– si në nivelin komunal ashtu edhe në atë qendror – për atë se si të zbatohet ky mandat.
Për më shumë, z. Mentor Morina – Udhëheqës i Divizionit për Mirëqenie Sociale (MPMS) theksoi se detyra për transferimin e menaxhimit nga këto qendra në komuna kërkon ndihmë të vazhdueshme profesionale dhe teknike. Po ashtu edhe gjetja e mekanizmave për ofrimin e këtyre shërbimeve ndërmjet komunave dhe MPMS-së do të jetë sfiduese.
Po ashtu u pa si domosdoshmëri zhvillimi i infrastrukturës sociale dhe strehimit të përkohshëm për grupe të ndryshme të dëmtuara, rritjen e shtëpive me bazë në komunitet për mbrojtjen e fëmijëve, personat e moshuar dhe atyre me aftësi të kufizuara.
Përveç kësaj, ka ende mangësi në financimin komunal, si rezultat i kompetencave të reja për shërbimet sociale dhe të familjes të cilat nuk po arrijnë të ofrojnë kualitet të mjaftueshëm të shërbimeve. Ekziston një nevojë e madhe për një sistem të strukturuar mirë të komunikimit ndërqeveritar, negocimit dhe mbështetjes teknike në këtë sektor.
Po ashtu u tha se komunat duhet të angazhohen në llogaritjen e shpenzimeve në këtë sektor, duke përfshirë ato për monitorimin dhe zbatimin e standardeve minimale, duke siguruar nivelin minimal të ofrimit të shërbimit dhe zbatimin e veprimeve sanuese sipas nevojës.
Ndërkaq ishte konkludim i përbashkët se është i nevojshëm hartimi i politikave efikase sociale që do t’iu bëjnë ballë sfidave që kërkojnë urgjencë në mobilizimin e të gjitha resurset humane, intelektuale, teknike dhe politike në hartimin e politikave të mençura sociale për tejkalimin e vështirësive: sanimin e gjendjes ekzistuese dhe integrimin e grupeve të margjinalizura.
Ky program mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Novegjisë dhe Fondacioni Friedrich Ebert.