Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGi, z. Besnik Tahiri, mori pjesë në grupin punues për Ballkanin Perëndimor, me ç’rast u diskutua për marrëdhëniet BE – Kosovë si dhe rrjetëzimin e agjendës për Ballkanin Perëndimor.
Me këtë rast, z. Tahiri ka theksuar se ekziston nevoja për ndihmë dhe mentorship në nivelin lokal nga vendet që kanë kaluar në fazat e njëjta dhe kanë më shumë ngjashmëri, si Kroacia dhe Sllovenia, në mënyrë që të adaptohen praktika dhe modele të mira që rrisin efikasitetin, cilësinë e shërbimeve dhe fuqizojnë nivelin lokal.
Për më tepër, qeveritë lokale në Kosovë nuk kanë përdorur potencialin e tyre që përmes bashkëpunimit ndër-komunal të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve. Megjithatë, ka pasur edhe shembuj të mirë, siç është formimi i pesë zonave ekonomike rajonale, që u realizuan me ndihmën e Komisionit Evropian.
Ndërkaq, po ashtu është e nevojshme të ketë përmirësim në bashkëpunimin ndërkufitar në mënyrë që të mundësohet integrimi i ekonomisë dhe praktikave të rajonit në nivelin lokal në Kosovë. Vlen të ceken praktikat e bashkëpunimit në mes Gjilanit dhe Preshevës, po ashtu edhe Gjakovës me Bajram Currin.
Duhet theksuar se Kosova duhet edhe më tutje të avancojë modelin evropian të qeverisjes lokale, duke i kthyer komunat në katalizator të integrimit evropian. Kjo nëpërmjet arritjes së standardeve evropiane në fushat kyçe që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies.
Prezent në këtë ngjarje ishin: kryetari i grupit punues për Ballkanin Perëndimor z. Franz Schausberger, kryetarë komunash, zëvendës-ministra, përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues të tjerë diplomatik.