Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) së bashku me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) organizuan punëtorinë për të diskutuar për “Draft-Udhëzimin Administrativ për Procedurën e Themelimit, Përbërjen dhe Kompetencat e Komiteteve të Përhershme në Komuna.
Punëtoria kishte për qëllim njohjen me kornizën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Komiteteve në Komuna dhe identifikimin e sfidave të organizimit dhe funksionimit të Komiteteve Obligative. Pjesëmarrës në punëtori ishin Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Shoqëria Civile.
Pra, ky udhëzim rregullon procedurën e themelimit, organizimin dhe kompetencat e komiteteve konsultative në komunë. Kuvendi i Komunës ka nevojë për organe ndihmëse me qëllim të shqyrtimit të hollësishëm të politikave, dokumenteve strategjike, vendimeve dhe rregulloreve të komunës, nga njëra anë, si dhe me qëllim të mbikëqyrjes së veprimtarive të degës ekzekutive, në anën tjetër.
Megjithatë, këto komitete janë trupa ndihmës të Kuvendit të Komunës, që përmes tyre të garantohet që organet e komunave të jenë më transparente, më efikase dhe të japin llogari qytetarëve. Andaj, takimi kishte për qëllim për të rikujtuar obligimet ligjore në raport me procedurën e themelimit, përbërjen dhe kompetencat e Komiteteve të Përhershme në Komuna. Gjithashtu të paraqiten përvojat më të mira dhe sfidat me të cilat janë ballafaquar apo ballafaqohen në kuadër të organizimit dhe funksionimit të këtyre komiteteve.
Synim i konsultimit për këtë Draft-Udhëzim Administrativ ishte që të sigurohen opinionet, komentet dhe rekomandimet nga grupet e caktuara të interesit përkitazi me dispozitat e këtij Draft-Udhëzimi. Megjithatë, rëndësia e konsultimit publik me akterët përkatës do të ndikojë drejtpërdrejtë në cilësinë e përmbajtjes së këtij Draft-Udhëzimi Administrativ.
Instituti KLGI nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë