Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) po jep kontribut në një seri takimesh që po organizon Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) dhe projekti DEMOS me koordinatorë të performancës së komunave.
Takimi i radhës u organizua me koordinatorë të performancës të komunave (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok) për zbatimin e Rregullores për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës.
Punëtoria kishte për qëllim rritjen e njohurive të këtyre komunave për implementimin efikas të kësaj rregulloreje dhe zbatimin e raportimit teknik në raportin e performancës komunale.
Raporti i performancës komunale prezanton rezultatet e komunave nëpërmjet një numri të fushave të kompetencave që janë nën përgjegjësi të tyre.
Matja dhe vlerësimi i performancës komunale, si proces, kërkon zbatimin strikt të rregullave, udhëzimeve, standardeve dhe afateve të paracaktuara. Para së gjithash, është̈ proces që mbështetet në të dhëna të verifikuara për shërbimet e ofruara në kuadër të sektorëve të ndryshëm të administratës komunale.
Ndërkaq, Granti i performancës komunale ka për qëllim të nxisë konkurrencën ndërmjet komunave, duke stimuluar ato dhe inkurajuar pajtueshmërinë komunale me standardet minimale ligjore dhe performancën reale. Para së gjithash, Komunat duhet që, për secilin vit, të plotësojnë kushte minimale për t’u kualifikuar për grant në baza vjetore.
Ky diskutim përkrahet në kuadrin e mbështetjes profesionale që po ofron Instituti KLGI për institucionet në ngritjen e kapaciteteve dhe hartimin e politikave dhe legjislacionit në fushën e qeverisjes lokale.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë̈ së Norvegjisë̈ në Kosovë.