Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë për avancimin e procesit të financimit publik të OJQ-ve në nivel lokal.
Në këtë punëtori u adresuan gjetjet nga raporti i monitorimit të financimit publik të OJQ-ve në komuna për vitin 2022 dhe procesi i monitorimit për vitin 2023. Gjithashtu, u trajtuan çështjet e ngritura nga komunat, duke u dhënë propozime për përmirësim të procesit.
Fokusi i diskutimit ishte në fuqizimin e bashkëpunimit në mes të qeverive lokale dhe shoqërisë civile, duke zbatuar një qasje transparente dhe të bazuar në projekte për financimin e OJQ-ve nga buxhetet komunale drejt inkurajimit të angazhimit më të madh qytetar në vendimmarrje, si dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve lokale.
Kjo punëtori u organizua në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, një iniciativë pesëvjeçare zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). KLGI është partner i KCSF-së në realizimin e këtij aktiviteti.