Instituti KLGI në vazhdën e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave organizoi diskutimin publik për dy Projekt-Udhëzimet Administrative, atë për: Kriteret Përzgjedhëse dhe Prioritetizimin e Projekteve Kapitale dhe Arsyeshmërinë e Lejimit të Transferit dhe Rialokimit.
Udhëzimet Administrative të hartuara nga Ministria e Financave me ekspertizë të jashtme dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtar zhvillimorë dhe që janë në diskutim publik, synojnë të përcaktojnë kriteret e përzgjedhjes së projekteve kapitale dhe procedurat e transferit dhe ri-alokimit të ndarjeve buxhetore brenda organizatave buxhetore.
Me qëllim që t’i shtohet vlerë konsultimit publik dhe marrjes së imputeve të drejtpërdrejta nga komunat dhe shoqëria civile u prezantuan projekt-udhëzimet dhe u nxjerrën rekomandimet. Procesi i konsultimit mbetet i hapur për të gjithë akterët e interesuar në mënyrë që rregullativa e re të ketë përfshirje sa më të gjerë. Pjesëmarrës në këtë sesion ishin Drejtorët e Financave nga komunat e Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Shoqëria Civile.
Drejtori i Buxhetit të Republikës së Kosovës, z. Salvador Elmazi, duke prezantuar projekt-udhëzimet administrative theksoi se këto dy dokumente janë pjesë e pakos së tri Udhëzimeve Administrative që Ministria e Financave i ka të parapara edhe me planin legjislativ për këtë vit.
Udhëzimi Administrativ Kriteret Përzgjedhëse dhe Prioritetizimin e Projekteve Kapitale ka për qëllim të përcaktojë kriteret përzgjedhëse të projektit kapital dhe prioritetizimin e projektit.
Ndërsa, Udhëzimi Administrativ Arsyeshmëria e Lejimit të Transferit dhe Rialokimit ka për qëllim të rregullojë procedurat e transferit dhe ri-alokimit të ndarjeve buxhetore brenda organizatës buxhetore dhe transparencën e këtij procesi, në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, theksoi se diskutime të tilla janë një mundësi e mirë që përpos daljes në platformën e konsultimit, kjo formë e diskutimit në tryezë që bënë bashkë akterët është shumë e rëndësishme për shkak se ballafaqimi i argumenteve dhe ideve japin mundësi akterëve që të paraqesin sfidat dhe problemet me te cilat ballafaqohen në praktikë.
Nëpërmes kësaj promovohet një dialog më i qëndrueshëm dhe një mundësi më e madhe që projekt-udhëzimet e propozuara nga Ministria e Financave të jenë më koherente dhe më të mundshme për t’u zbatuar nga komunat.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e mbështetjes për Ministrinë e Financave dhe pati për qëllim të bëjë bashkë akterët komunalë dhe Shoqërinë Civile për të diskutuar dhe adresuar bashkërisht rekomandimet dhe komentet në kuadër të procesit të diskutimit publik.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.