Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) ka nisur trajnimin modular në kuadër të programit “Akademia për Qeverisje Lokale (LGA)”. Në sesionin e parë u trajtuan temat: Demokratizimi dhe Qeverisja e Mirë; Parimet e Demokracisë në Nivel Lokal dhe Koncepti i Vetëqeverisjes Lokale.
Pjesëmarrës ishin zyrtarë komunalë të: administratës; shërbimeve publike; zhvillimit ekonomik; mirëqenies sociale dhe administratës së Kuvendeve Komunale nga komuna Gjilan, Viti, Ferizaj, Malishevë, Rahovec.
Me anë të këtij programi, KLGI synon të avancojë qeverisjen lokale e në veçanti ngritjen e kapaciteteve të komunave në raport me ofrimin e shërbimeve cilësore. LGA është program i avancuar i trajnimit që ka në fokus elaborimin e konceptit modern të qeverisjes lokale përmes moduleve trajnuese të cilat ofrohen në formë të ligjëratave, diskutimeve, punës në grupe, shkëmbimit të informacionit dhe vizitave studimore.
Përmes programit, pjesëmarrësit mund të mbrojnë, promovojnë dhe përmirësojnë nivelin lokal, duke adresuar sfidat dhe gjetjen e zgjidhjeve në proceset e qeverisjes.
KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Norwegian Embassy in Prishtina.