Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e mbështetur nga OSBE organizoi konferencën me qëllim të promovimit dhe mbështetjes së bashkëpunimit ndër-komunal.
Përfaqësuesi i Institutit KLGI, z. Sadri Rrmoku, gjatë prezantimit të tij theksoi se në kohën kur është miratuar ligji, Instituti KLGI ka nxjerrë një udhëzues praktik që qartëson fushat e bashkëpunimit dhe përparësitë e këtij procesi. Në vazhdimësi kemi adresuar sfidat që ka pasur ky proces dhe mungesën e një qasje kohezive të identifikimit fushave të bashkëpunimit dhe ndërmarrjes së hapave ligjor.
Për këtë qëllim, në bashkëpunim me komunat dhe MAPL kemi realizuar një vizitë studimore në Republikën e Maqedonisë duke pasur parasysh se kemi adaptuar legjislacionin nga ky shtet, është dashur t’i shohim edhe praktikat e funksionimit të këtij ligji.
Po ashtu, Instituti KLGI bashkërisht me Zyrën e Kryeministrit ka promovuar një proces të gjerë të dialogut ndër-komunal, duke ofruar modelin dhe mbështetur ‘Forumin Konsultativ Qeveri-Komuna’, mekanizëm ky i bashkëpunimit ndër-komunal dhe ndër-institucional.
Në fazën e parë bashkëpunimi ndër-komunal është promovuar nga MAPL dhe UNPD përmes fondeve stimuluese i cili ka dhënë rezultate, pastaj ky proces është zbehur duke u përdorur si instrument vetëm në disa fusha teknike që kryesisht lidhen me infrastrukturë.
Janë një mori çështjesh që bashkëpunimi ndër-komunal do të arrinte të jepte rezultate pozitive, për ketë ne kemi adresuar vazhdueshëm nevojën për një fond stimulues, andaj përgëzojmë ministrinë për hapin e ndërmarrë. Vlerësojmë se fondi vjen në një moment të rëndësishëm kur tashmë 10-vite pas është sprovuar decentralizimi dhe ka ndodhur një avancim sektorial ligjor.
Bashkëpunimi ndër-komunal mund dhe do të duhej të shtrihej në menaxhimin e përbashkët të shërbimeve publike dhe administrative (duke shmangur kërkesat e njëpasnjëshme për komuna të reja); Planifikimin strategjik, zhvillimin policëntrik dhe shërbimet ndër-komunale; në fushën e financave dhe zhvillimit ekonomik lokal duke bashkuar investimet dhe lidhur zonat zhvillimore; në menaxhimin më efikas të mbeturinave deri tek deponitë dhe një fazë të re (impiantet);në trajtimin e ujërave të zeza, furnizimin me ujë të pijshëm, menaxhimin e pyjeve dhe inspektimet e përbashkëta.
Duke pasur parasysh praktikat e mira që ka vendosur MAPL me kritere paraprake, KLGI vlerëson që një rendësi të veçantë të ketë bashkëpunimi ndër-komunal i komunave amë dhe komunave të reja, kjo mundë të reflektonte edhe në bashkëpunimin ndër-etnik, për faktin se ato kanë njohje të problematikave të përbashkëta dhe mund ta rivendosin komunikimin.
Kjo do të rezultonte në dy dimensione kryesore: E para, në ofrimin e shërbimeve të përbashkëta më cilësore dhe efikase (në shumë fusha sektoriale, arsim shëndetësi dhe zhvillim ekonomik, por edhe ato administrative siç është zbatimi i ligjit për gjuhët, administrimi i përbashkët i shërbimeve, jo vetëm se do të rriste kualitetin e shërbimit por njëkohësisht do të gjente përdorim më efikas të fondeve.
Dimensioni i dytë lidhet me procesin e forcimit të demokratizimit dhe dialogut ndëretnik me synim të integrimit të komuniteteve dhe rritjen e kuptueshmërisë për legjislacionin primar dhe sekondar të Republikës së Kosovës.
Pra bashkëpunimi ndër-komunal, jo vetëm se është parakusht për rritjen e cilësisë së shërbimeve karshi qytetarëve, por edhe i paraprinë zhvillimit rajonal duke vendosur balancë zhvillimore dhe fuqizuar kërkesat e përbashkëta të komunave karshi institucioneve qendrore, investitorëve dhe donatorëve.
Në emër të institutit KLGI, z. Rrmoku, ritheksoi mbështetjen për këtë proces në mënyrë që duke forcuar bashkëpunimin ndër-komunal, në rend të parë të përmirësojmë ofrimin e shërbimeve të përbashkëta, në rend të dytë të nxisim zhvillimin e balancuar rajonal dhe para se gjithash të adresojmë sfidat kyçe të përbashkëta duke i hapur rrugë zhvillimit.