Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti sesionin trajnues (virtual) me temën “Roli i këshillave të fshatrave dhe lagjeve urbane në zhvillimin e demokracisë lokale”, në të cilin u diskutua për trajtimin e formës së funksionimit të Këshillave të fshatrave dhe lagjeve urbane, bazën ligjore dhe rolin e tyre në demokratizimin e nivelit lokal.
Në takim u diskutua për përbërjen dhe rolin e këtyre këshillave në zhvillimin e demokracisë lokale në procesin e zhvillimit të politikave lokale, përfshirjen e tyre në diskutimet rreth temave që prekin interesin e tyre, zgjidhjen e problemeve të komunitetit, dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Njëkohësisht u trajtua Udhëzimi Administrativ që përcakton formën e organizimit, dhe mënyrën e themelimit të bashkëpunimit të komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane, respektivisht Këshillat Lokale.
Përtej kësaj, u prezantuan praktikat më të mira të vendeve të zhvilluara lidhur me Këshillat Lokale si trupat e zgjedhura që përfaqësojnë në mënyrë të organizuar komunitetin e një apo më shumë fshatrave, vendbanimeve apo lagjeve urbane.
Instituti KLGI u dakordua, që prezantimin e Ministrisë së Pushtetit Lokal (MPL), ta përkrah duke e zgjeruar një udhëzues praktik i cili do të shërbejë me shembuj për funksionimin dhe forcimin e rolit të Këshillave të fshatrave dhe lagjeve urbane. Po ashtu, Instituti KLGI nëpërmjet programeve do të vazhdojë angazhimin profesional në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.