Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti modulin e parë të “Programit për Angazhim Social (PAS)”, i cili zhvillohet në kuadrin e projektit “Shoqëria Civile Promotor i Kontributit Publik”. Pjesëmarrës në trajnim ishin 24 koordinatorët e grupeve tematike nga tetë komunat e përzgjedhura.
Qëllimi i trajnimit ishte që organizatat e shoqërisë civile, aktivistët socialë dhe grupet e interesit të ngrisin kapacitetet për konceptet e qeverisjes lokale dhe angazhimit publik.
Në kuadër këtij moduli u diskutuan dhe trajtuan temat: Parimet e qeverisjes së mirë dhe demokracia e drejtpërdrejtë; Baza ligjore, strategjitë dhe politikat e qeverisjes lokale – me fokus në tri (3) fusha: barazia gjinore, minoritetet dhe grupet e cenueshme. Pjesëmarrësit, të ndarë në grupe, simuluan procese duke identifikuar çështje specifike sipas fokus grupeve me politikat, legjislacionin, dokumentet dhe strategjitë për tri fushat.
Programi për Angazhim Social (PAS) është program i avancuar i trajnimit që targeton organizatat e Shoqërisë Civile, aktivistët socialë dhe grupet e interesit në nivelin lokal.
Ky aktivitet zbatohet me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” i zbatuar nga Centar za Promociju Civilnog Društva (CPCD) në partneritet me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Center for Research and Policy Making (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).