Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe OSBE në mbështetje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAP) kanë nisur një seri trajnimesh me regjionet e komunave të Kosovës për të diskutuar lidhur me temën “Iniciativat për Bashkëpunim Ndërkomunal”.
Takimi i parë u mbajt me përfaqësues të komunave nga regjioni i Prizrenit, i cili kishte për qëllim diskutimin dhe trajtimin e mundësive të bashkëpunimit ndërkomunal që ua ofron komunave në realizimin e qëllimeve dhe interesave të përbashkëta lidhur me ushtrimin e kompetencave të tyre vetanake që burojnë nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale.
Gjatë takimit u theksua se Komunat hyjnë në bashkëpunim me komunat tjera në funksion të zhvillimit më të shpejtë ekonomik lokal, të efikasitetit dhe efektivitetit të ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit. Takimet e tilla do të vazhdojnë edhe me komunat nga regjionet tjera të Kosovës.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.