Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në mbështetje të Ministrisë për Zhvillim Rajonal (MZHR) organizoi takimin virtual me temën “Analiza për Investime kapitale të realizuara sipas rajoneve zhvillimore në vitin 2019”. Për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19 punëtoria është realizuar online.
Punëtoria kishte për qëllim pasqyrimin dhe diskutimin e investimeve kapitale të realizuara nga Ministritë e Linjës në pesë rajonet zhvillimore në Kosovë gjatë vitit 2019. Pjesëmarrës në këtë takim ishin Drejtorët e Drejtorive për Zhvillim Ekonomikë nga Komunat e Kosovës.
Përgjatë diskutimit u theksua se planifikimi i mirë i investimeve kapitale nga komunat është thelbësor për menaxhimin e efektshëm të buxhetit komunal. Andaj, për një planifikim sa më të mirë të investimeve kapitale, e rëndësishme është të merren parasysh analizat dhe vlerësimet mbi investimet e realizuara në vitet e kaluara, nevojat ekzistuese të komunitetit, shpërndarja e balancuar e investimeve qendrore në ato lokale, si dhe përmbushja e prioriteteve të përcaktuara paraprakisht.
Analiza e hartuar nga MZHR trajton shpërndarjen e investimeve kapitale të ministrive të linjës gjatë vitit 2019, në raport me pesë rajonet zhvillimore: Qendër, Lindje, Veri, Perëndim dhe Jug. Para së gjithash paraqiten diferencat ndërmjet rajoneve dhe komunave në aspekt të pranimit të përkrahjes për realizimin e projekteve kapitale gjatë një viti.
Pas hartimit të draftit të parë të dokumentit, ky është takimi i parë i konsultimit me akterë. KLGI dhe MZHR do të organizojnë një seri takimesh me qëllim të marrjes së imputeve nga Komunat, Ministritë e Linjës dhe Agjencitë Zhvillimore Rajonale.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.