You are currently viewing KLGI dhe FES nisin programin “Akademia e të Rinjve për Qeverisje Lokale”

KLGI dhe FES nisin programin “Akademia e të Rinjve për Qeverisje Lokale”

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në mbështetjen e fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES), ka nisur programin “Akademia e të Rinjve për Qeverisje Lokale”. Programi u dedikohet liderëve të rinj në nivelin lokal, me synim avancimin e demokracisë lokale dhe njohjen me strukturën, proceset e mekanizmave komunalë.

Pra, programi si i tillë, u dedikohet të rinjve në parti politike, që synojnë të jenë pjesë e ekipeve të kandidatëve për kryetarë komunash, apo atyre që vetë kandidojnë për Kuvende Komunale. Përtej qasjes paraelektorale, programi krijon një bazë solide të njohurive, se si duhet ndjekur, trajtuar dhe adresuar çështjet lokale.

Në kuadër të Modulit të parë u zhvillua trajnimi dy ditor ku u trajtuan temat “Qeverisja lokale, vizioni dhe lidershipi politik”. Në këtë trajnim pjesëmarrës ishin të rinjtë nga komunat (Mitrovicë, Podujevë, Drenas, Lipjan, Kamenicë dhe Obiliq).

Përgjatë punëtorisë u trajtua dhe prezantua baza e qeverisjes lokale, specifikisht legjislacionin dhe parimet e organizimit. Po ashtu, u diskutua për dokumentet strategjike (identifikimi, analizimi dhe adresimi i problemeve komunale). Ndërkaq, në katër grupe, pjesëmarrësit stimuluan proceset e politik-bërjes për temat: buxhetimi, çështjet sociale, mjedisin dhe zhvillimin ekonomik lokal.

U theksua se qeverisja lokale përbën njërin ndër dimensionet më të rëndësishme për funksionimin e vet demokracisë dhe për realizimin e të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore, të qytetarëve dhe komuniteteve në nivel lokal.

Ky aktivitet u realizua në mbështetje të fondacionit Friedrich Ebert Stiftung – FES.

Lini një Përgjigje