Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti sesionin trajnues me temën “Roli i Këshillave të Fshatrave dhe Lagjeve Urbane në Zhvillimin e Demokracisë Lokale”, në të cilin u trajtuan forma e funksionimit të këshillave të fshatrave dhe lagjeve urbane, baza ligjore dhe roli i tyre në demokratizimin e nivelit lokal.
Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin koordinatorët e Këshillave të Fshatrave dhe Lagjeve Urbane nga Komunat e Kosovës dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Për gjatë takimit u diskutua për përbërjen dhe rolin e këtyre këshillave në zhvillimin e demokracisë lokale në procesin e zhvillimit të politikave lokale, përfshirjen e tyre në diskutimet rreth temave që prekin interesin e tyre, zgjidhjen e problemeve të komunitetit, dhe ofrimin më të mirë të shërbimeve për qytetarët.
Në mënyrë që komunat t’i realizojnë funksionet dhe përgjegjësitë e tyre të rregulluara sipas legjislacionit në fuqi (Ligjit për Vetëqeverisje Lokale) duhet të mbështesin themelimin dhe konsolidimin e Këshillave Lokale, të cilat përfaqësojnë fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Pra, Këshillat Lokale janë trupat e zgjedhura që përfaqësojnë në mënyrë të organizuar komunitetin e një apo më shumë fshatrave, vendbanimeve apo lagjeve urbane.
Megjithëse, një prej lirive thelbësore për zhvillim të demokracisë lokale është e drejta e qytetarëve për të qenë aktivë në proceset e vendimmarrjes. Mirëpo, shpeshherë qytetarët nuk arrijnë të ushtrojnë ndikimin e tyre si rezultat i mungesës së informimit.
Pjesëmarrësit dhanë sugjerimet e tyre lidhur me plotësim ndryshimin e mundshëm të Udhëzimit Administrativ që përcakton formën e organizimit, dhe mënyrën e themelimit të bashkëpunimit të komunës me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane, respektivisht Këshillat Lokale.
Instituti KLGI mbetet i përkushtuar që nëpërmes programeve edukative të punojë në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.





