37 nga 38 komuna aprovojnë me kohë buxhetin, edhe komunat e veriut dorëzojnë në kohë buxhetin e miratuar!
Bazuar në fazat e procesit buxhetor për vitin 2019, sipas kalendarit për nivelit lokal, komunat deri më 30 shtator është dashur të kryejnë procesin e aprovimeve në Kuvendet Komunale. Deri në këtë afat, 37 nga 38 komuna kanë miratuar buxhetin e tyre.
Këtu përfshirë dhe komunat e veriut të cilat kanë miratuar dhe dorëzuar me kohë buxhetet dhe kornizat afat-mesme buxhetore të tyre në Ministrinë e Financave. Janë për tu vlerësuar angazhimet e përbashkëta të Ministrisë së Financave dhe Organizatave Buxhetore në nivel lokal, në veçanti komunat për këtë proces.
Përtej asaj se dëgjimet buxhetore ende kanë mangësi të theksuara, me fokus në formatin e organizimit të dëgjimeve, shihet se ka iniciativa që ky proces të lëviz nga diskutimet e përgjithësuara në debate me grupe të fokusuara. Duke u bazuar në qarkoren e dytë për buxhetin komunal 2019, shihet se shuma e përgjithshme arrin vlerën e 530,990,252€, krahasuar me vitin 2018 që ishte 482,012,850 €, që i bie se do të ketë afro 49 milionë € më shumë.
Në këtë proces, Komuna e Malishevës ende nuk e ka miratuar buxhetin për shkak të mungesës së konsensusit politik në Kuvendin Komunal. Bazuar në strukturën e shpenzimeve për vitin 2019, Komuna e Malishevës rrezikon të mbetet me strukturën e buxhetit paraprak, që i bie mbi gjysmë milioni EUR. Në fazat e procesit buxhetor për vitin 2019, është tejet e rëndësishme që para 26 Tetorit të arrihet konsensusi në këtë komunë, në mënyrë që buxheti të dërgohet në qeveri para miratimit final të draft-buxhetit. Në të kundërtën, pas aprovimit të buxhetit në Kuvendin e Kosovës, kjo çështje mund të bëhet problematike duke e lënë komunën e Malishevës të funksionojë në kornizat e buxhetit paraprak.
Buxheti komunal është dokumenti kryesor vjetor i funksionimit të komunave dhe për këtë, diskutimet profesionale dhe përmbajtësore në Kuvendet Komunale i shërbejnë synimeve strategjike dhe zhvillimore të komunave përkatëse. Për këtë, thërrasim përfaqësuesit politikë në Kuvend Komunal dhe ekzekutivin që të shterojnë debatin dhe të gjejnë zgjidhje për aprovim të buxhetit.
Në anën tjetër, përmirësimi i këtij procesi, bashkë me reformën që pritet të ndodh në fushën e financave të pushtetit lokal, do të jetë një mundësi e mirë për ta forcuar autonominë dhe njëkohësisht disiplinën fiskale. Për më shumë, dhjetë (10) vite pas miratimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal (LFPL) dhe vetë procesit të decentralizimit, sprovat gjatë kësaj periudhe kanë treguar nevojën për ndryshim që i hap perspektivë të re zhvillimore komunave, balancim të investimeve nga niveli qendror dhe avancim të formulave të financimit. Kjo, bashkë me forcimin e komunikimit të strukturuar në mes të nivelit lokal dhe atij qendror, po provon dhe duhet të vazhdojë të japë efekte në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Pas përfundimit të këtij procesi, Instituti KLGI bashkë me partnerët institucionalë do të nis një fazë të re të trajnimit specifik që lidhet me procesin e buxhetimit, nga konsultimi publik e deri tek raportimi. Kjo do të jetë edhe një mundësi e re për të adresuar sfidat që dalin nga ky proces dhe përmirësimin e këtij procesi në vazhdimësi.