Me ftesë të Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, përfaqësuesit e Institutit KLGI morën pjesë në Këshillin Konsultativ në mes të Qeverisjes Qendrore dhe Vetëqeverisjes Vendore në Republikën e Shqipërisë. Prezent në ngjarje ishin përfaqësues nga Shoqatat e Vetëqeverisjes Vendore, Kryetarë të Qarqeve, Kryetarë të Bashkive dhe donatorët kyç që mbështesin qeverisjen lokale (vendore) dhe procesin e reformës.
Këshilli Konsultativ shërben si mekanizëm i konsultimit, dialogut dhe bashkëpunimit në mes të niveleve të qeverisjes. Në të prezantohen politikat, dokumentet strategjike e legjislative dhe aktet ligjore në mënyrë që të ketë koordinim dhe zbatim efikas. Në takimin konsultativ, një seri projekt-vendimesh u diskutuan dhe u trajtuan nga të dyja palët.
Kjo për Institutin KLGI paraqet një model të mirë të koordinimit ndër-institucional në zbatim të politikave dhe legjislacionit, e njëkohësisht mundësi për të bashkuar sinergjitë në rrugëtimin drejt fuqizimit të themeleve evropiane nisur nga niveli lokal (vendor). Nisma si kjo duhet të shtyrë edhe nga institucionet e Kosovës për të forcuar koordinimin dhe bashkëpunimin në mes të dyja niveleve.
Në diskutime të ndara, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv, Besnik Muçaj, pati rastin të diskutojë me akterët e të gjitha niveleve dhe donatorët për proceset që po kalon Shqipëria. Njëherësh foli për praktikat e mira që mund të shkëmbehen nga të dyja vendet në funksion të agjendës së përbashkët të bashkëpunimit dhe ndër-veprimit.
Përgjatë diskutimeve, fokus i veçantë u vendos te çështja e financave lokale (vendore) me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në Republikën e Shqipërisë, te procesi që ka kaluar Shqipëria në këtë fushë dhe mbështetjen që mund të ofrojë për Kosovën në trajtimin e kësaj çështje. Me këtë rast, u planifikua që Instituti KLGI dhe Agjencia për Mbështetje të Vetëqeverisjes Vendore të koordinojnë takime të përbashkëta në mes të akterëve të të dyja niveleve. Ekspertiza e ofruar nga donatorët për Shqipërinë dhe kooperimi i partnerëve në Kosovë pritet të ofrojë efekte pozitive.
Temë tjetër me interes ishte mbështetja e nivelit qendror për nivelin lokal (vendor) në procesin e integrimit nëpërmjet ndërtimit të strukturave të veçanta që mbështesin këtë proces, nisur nga koordinimi e deri tek themelimi dhe ngritja e kapaciteteve të strukturave për thithjen e fondeve zhvillimore. Në diskutim të veçantë me Kryetarin e Këshillit të Qarkut të Vlorës, Ervis Moçka, u diskutua për fushat që mund të mësojnë komunat e Kosovës nga ky proces.
Në takim u trajtuan edhe praktikat e mira për çështjet ligjore dhe gjobat administrative, proces ky nga ku mund të mësojë Kosova në fushën e politikave/legjislacionit për kontekstet administrative. Njëherësh, u theksua se Kosova është model i mirë sa i përket themelimit dhe funksionimit të këshillave të sigurisë në nivel lokal, model ky i cili mund ti shërbejë Shqipërisë në nismën që kanë ndërmarrë për këtë fushë. Po ashtu, u trajtua edhe menaxhimi i integruar i mbeturinave.
Krejt në fund, në diskutim me drejtorin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, Bekim Murati, u dakordua që bashkërisht të mbështesin dhe koordinojnë me institucionet e të dyjave vendeve duke hartuar një listë të çështjeve në të cilat mund të shkëmbeheshin praktika dhe mund të diskutohej në nivel shtetëror për fuqizimin e themeleve evropiane të qeverisjes lokale (vendore).