Në hapësirat e Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) u mbajt takim diskutues/shkëmbyes me akterët e shoqërisë civile lidhur me tematika kryesore qeverisëse, me theks ato në nivelin lokal. Qëllimi i takimit ishte që përmes diskutimit të shkëmbehen ide dhe përvoja e po ashtu të rritet bashkëpunimi dhe koordinimi në funksion të adresimit, përkrahjes dhe avokimit për politika të qëndrueshme dhe temave tjera me interes të përbashkët.
Në takim nga Instituti KLGI u prezantuan në korniza të përgjithshme sfidat dhe dinamikat me të cilat përballet niveli lokal, të dalura nga diskutimet dhe puna e fokusuar me komunat. Në fokus të veçantë të diskutimit ishte edhe aspekti i financimit të shërbimeve, e kjo shtrohet si domosdoshmëri për financim të qëndrueshëm dhe zhvillimor. Konstatim kryesor ishte se nuk ka sistem efikas pa reformë rrënjësore, pra reforma e pjesshme fragmentarizon problemin.
Kjo ishte një nismë, ndërkaq në takimet e radhës kjo do të shërbejë si platformë e koordinimit dhe ndër-veprimit në interes të nxitjes së institucioneve në përmirësimin e trendeve dhe të përshpejtimit të proceseve integruese. Duke pasur parasysh se secila prej organizatave ka fusha të fokusuara të trajtimit, ky takim diskutues se do të shërbejë edhe si një mundësi në gjetjen e shtigjeve që ofrojnë zgjidhje për problemet.
Ky takim përtej diskutimit ishte një reflektim dhe formë e rritjes së sinergjive drejt angazhimeve të përbashkëta. Pritet që kjo nismë te kthehet në një forum i diskutimit të vazhdueshëm për çështjet me interes për organizatat dhe si kontribut për institucionet.