Në hapësirat e Institutit, Z. Besnik Tahiri, Drejtori Ekzekutiv i Institutit, takoi , Dr. Bernhard Knoll-Tudor, Drejtor i Akademisë së Politikave Globale në Universitetin e Evropës Qendrore me zyre në Budapest.
Dr. Knoll-Tudor po qëndron në një vizitë në Kosovë me qëllim të shkëmbimit të përvojave në fushën e edukimit profesional në mes Universitetit të Evropës Qendrore dhe akterëve qeveritar e jo-qeveritar, përfshirë Akademinë për Qeverisje Lokale që udhëhiqet nga Instituti KLGI. Eksperienca e Dr. Knoll-Tudor në Kosovë nis nga ditët e para të ndërtimit të institucioneve demokratike. Ai ka shërbyer për Misionin e OSBE-së në Kosovë si Këshilltar Politikash gjatë viteve 2000-2002 dhe më vonë si Komisioner i Përkohshëm për Media në UNMIK. Gjatë doktoraturës, ai analizoi “subjektivitetin” e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën për vetë-vendosje, ku u botua nga “Cambridge University Press”.
Ndër të tjera, Tahiri dhe Knoll-Tudor diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në funksion të fuqizimit të kapaciteteve të zyrtarëve komunal. Tahiri foli për situatën aktuale të qeverisjes lokale dhe po ashtu shfaqi interesim për të përmirësuar reformën komunale në linjë me praktikat e mira ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Tahiri informoi Knoll-Tudor për përpjekjet e KLGI-së në fuqizimin e kapaciteteve komunale drejt ofrimit të funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë.
Të dy bashkë u dakorduan në intensifikimin e shkëmbimit të përvojave në fushën e trajnimeve të avancuara profesionale.