Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi diskutimin publik me temën “Politikat e Mjedisit në Nivel Lokal”. Diskutimi i cili përkon me ‘Ditën Ndërkombëtare të Tokës’ bëri bashkë akterët nga niveli qendror, lokal, organizatat vendore dhe ndërkombëtare për të diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit në funksion të avancimit të politikave të mjedisit në përputhje me objektivat dhe përgjegjësitë që dalin nga strategjia për mbrojtje të mjedisit.
Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Drejtoritë e Shërbimeve Publike në nivel lokal, organizatat partnere ndërkombëtare dhe vendore.
Koordinimi në mes pushtetit lokal dhe qendror është i rëndësishëm në aspektin e përmirësimit të gjendjes mjedisore në vend. Para se gjithash, institucionet duhet të kenë prioritete dhe të delegojnë kompetenca të qarta, detyra dhe përgjegjësi për mbrojtjen e mjedisit. Njëkohësisht të duhet veprojnë në mënyrë të koordinuar për të përmbushur detyrimet e tyre.
Edhe në sferën mjedisore në menaxhimin e mbeturinave, pyjeve dhe çështje tjera problematikë kyçe po del të jenë dy adresa të llogaridhënies. Pra, në shumicën e çështjeve, pavarësisht progresit dhe ndryshimeve dhe avancimit të ligjeve, ende vazhdon të jenë më shumë se një adresë e llogaridhënies, e cila shpesh e bënë menaxhimin e shërbimeve joefikase dhe joefektive. Megjithatë në adresimet ligjore duhet të definohet qartë se kush është adresa e llogaridhënies dhe aty të jenë edhe mjetet.
Kosova ka Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit e cila duhet të konsiderohet si pjesë afatgjate e zhvillimit të vendit, para se gjithash zhvillimi social dhe ekonomik mund të shkojnë krahas me një mjedis të shëndoshë. Njëkohësisht kjo Strategji paraqet një hap të rëndësishëm, ku çështjet e mjedisit mund të zhvillohen, planifikohen dhe menaxhohen si një koncept afatgjatë.
Avancimi i objektivave të Strategjisë dhe zbatimi i tyre është i mundshëm vetëm nëpërmjet partneritetit duke përfshirë qytetarët, grupet e interesit, komunitetin e biznesit, institucionet e qeverisjes lokale dhe qendrore dhe komunitetin ndërkombëtar.
Megjithatë, për të zvogëluar ndikimet negative mbi mjedisin dhe në disa raste për të zvogëluar shpenzimet, dy ose më shumë komuna mund të zhvillojnë bashkërisht dhe miratojnë planet dhe programet e tyre.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.