Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR) organizoi punëtorinë me temën “Strategjia për Zhvillim Rajonal 2020-2030”. Ky diskutim është në kuadrin e platformës së konsultimeve që po ofron Instituti KLGI për Komunat për gjatë hartimit të politikave/legjislacionit në fushën e qeverisjes lokale.
Takimi kishte për synim diskutimin për objektivat strategjike që duhet të vendosen në këtë dokument strategjik. Pjesëmarrës ishin anëtarët e grupit punues për hartimin e strategjisë, përfaqësues nga komunat, ministritë e linjës dhe shoqërisë civile.
Qëllimi i punëtorisë ishte rritja e pronësisë së komunave në politika/legjislacion nëpërmjet prezantimit të perspektivës së tyre për strategjinë. Procesi për ndërtimin e strategjisë do të bartë një eksperiencë të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të komunave të Kosovës dhe akterëve tjerë.
Zhvillimi rajonal ka të bëjë me integrimin e politikave dhe programeve të ndryshme, duke ofruar sinergji të reja, përmirësuar koordinimin dhe duke përfshirë komunitetet lokale në formulimin dhe zbatimin e politikave konkrete.
Në këtë kontekst zhvillimi rajonal mund të konsiderohet si një përpjekje e përgjithshme për të reduktuar pabarazitë, duke mbështetur aktivitetet ekonomike në rajonet përkatëse të cilat stimulojnë investime, reduktojnë diferencat socio-ekonomike në mes rajoneve të ndryshme dhe përmirësojnë standardin e jetesës në territoret respektive.
Për më tepër, zhvillimi rajonal ka si qëllim të mundësojë një kornizë të qartë se si të arrihet përmirësim i qëndrueshëm e domethënës për komunitetet lokale, duke diversifikuar dhe nxitur aktivitetet ekonomike dhe promovuar një mjedis ekonomik rajonal më atraktiv.
Ekonomia është forcë shtytëse parësore e zhvillimit rajonal dhe në mënyrë që të arrihet kjo, jo vetëm të mbështetet zhvillimi i disa sektorëve premtues, por edhe të krijohen kushtet për zhvillimin e bizneseve. Prandaj, veprimet duhet të implementohen në mënyrë që të përkrahet zhvillimi i institucioneve apo mekanizmave që do të sigurojnë koordinim dhe zhvillim ekonomik në nivel rajonal.
Në mënyrë që të tejkalohen sfidat e zhvillimit rajonal, partnerët duhet të fokusohen në aktivitetet e tyre dhe të kanalizojnë resurse adekuate për t’i realizuar ato në mënyrë efektive.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.