Instituti KLGI po vazhdon kontributin në forumet e autoriteteve lokale lidhur me zhvillimin e procesit buxhetor komunal për periudhën 2018-2020.
Në forumin që u mbajt me regjionet e Pejës dhe Prizrenit përfaqësuesi nga Instituti KLGI z. Besnik Muçaj, ndoqi punimet dhe mori informata të përmbledhura nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe udhëheqësit komunal lidhur me aspektet buxhetore.
Këto forume për qëllim kryesor kanë zhvillimin e procesit buxhetor, avancimin e konceptit të projekteve shumëvjeçare si dhe ngritja e kapaciteteve për menaxhim financiar efikas. Forumet organizohen nga Ministria e Financave, komunat, partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat vendore.
Në forum u diskutuan sfidat dhe perspektiva e financave lokale. Aty u pa edhe progresi i arritur dhe përkushtimi i Ministrisë së Financave, komunave dhe akterëve tjerë në avancimin e menaxhimit financiar dhe përmirësimin e proceseve.
Po ashtu u shfaqën shqetësimet lidhur me mungesën e shpenzimeve operative të komunave, financimin përmes granteve specifike dhe aspektet tjera buxhetore. Me këtë rast ishte konstatim kryesorë se buxheti i Kosovës është një dhe duhet pasur kujdes në shpenzimet rrjedhëse, ngase secili faktor ka impakt në zinxhirin e veprimeve.
Në këtë rrjedhë u vlerësua adresimi i rregullativës për financimin e OJQ-ve dhe avancimi i buxhetimit gjinorë. Po ashtu u dha edhe mesazhi se procesi zgjedhor që i pret komunat nuk duhet të prekë disiplinën dhe procedurat buxhetore.
Për Institutin KLGI, këto forume kanë rëndësi të veçantë në aspektin e marrjes së inputeve për analizë të mëtejme në procesin e draftimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.