Në kuadër të projektit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale”, përfaqësues të Institutit KLGi, të prirë nga drejtori ekzekutiv, z. Besnik Tahiri takuan kryetarin e Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti dhe Kryetarin e Hanit të Elezit, z. Rufki Suma, me ç’rast i njoftuan lidhur me programin dhe diskutuan për fushat e intervenimit në funksion të rritjes së efikasitetit, cilësisë së shërbimeve dhe performancës së komunave.
Njëkohësisht, përfaqësuesit e Institutit KLGi patën rastin të njihen edhe me zhvillimet aktuale dhe nevojat konkrete të komunave duke i harmonizuar ato në plotni me fushat e intervenimit të programit. Me këtë rast, u dorëzuan kryetarëve të komunave edhe buletinin “Mujori i Komunave”, që pasqyron ngjarjet dhe aktivitet që ndodhin në dhe përreth Komunave të Kosovës, si produkt i portalit informativ INFOKOMUNA dhe Institutit KLGi.
Për më tepër, z. Haliti dhe z. Suma u njoftuan për fazën e parë të angazhimit të Institutit KLGi dhe portalit INFOKOMUNA që ndërlidhet me hartimin e një udhëzuesi për standardizim dhe komunikim efektiv me synimin për të ngritur kapacitetet profesionale dhe koordinuese të zyrave për marrëdhënie me publikun, duke u bazuar në praktikat rajonale dhe trendet ndërkombëtare të komunikimit, transparencës dhe llogaridhënies.
Dy palët shprehën gatishmërinë e plotë për bashkëpunim në kuadrin e angazhimeve dhe përkrahjes së dyanshme drejt fuqizimit të nivelit lokal. Projekti “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale” përpos që shërben si mjet i intervenimit përmes fushave të trajnimit, po ashtu mundëson angazhimin e plotë në teren, më afër komunave dhe qytetarëve.