Në vazhdën e mbështetjes për procesin e draftimit të koncept-dokumentit për Financat e Pushtetit Lokal, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale ka organizuar punëtori katër ditore me grupin punues.
Grupi punues udhëhiqet nga Ministria e Financave, me përfshirjen e ministrive të linjës (Shëndetësisë; Arsimit; Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Administrimit të Pushtetit Lokal); po ashtu përfaqësuesve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, projektit Zviceran DEMOS dhe Institutit GAP.
Ligji për Financat e Pushtetit Lokal është njëra nga shtyllat bazë që siguron funksionimin efikas dhe efektiv të sistemit financiar lokal në Republikën e Kosovës. Nëpërmjet ndryshimit të këtij ligji synohet definimi i qartë i financimit të funksioneve të centralizuara, përfaqësimi më i mirë i interesave të komunave në Komisionin e Granteve dhe ofrimi i shërbimeve cilësore sociale.
Gjithashtu, ky ligj do t’i adresojë disa çështje të cilat kanë nevojë të rishqyrtohen siç janë: planifikimi i të hyrave vetanake komunale, investimet e nivelit qendror në nivel komunal, granti specifik për arsim dhe granti specifik për shëndetësi.
Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).