Në kuadrin e hartimit të Projektligjit për Financat e Pushtetit Lokal, grupi punues me mbështetjen e projektit Helvetas/DEMOS, qëndruan për vizitë studimore në Republikën e Kroacisë.
Delegacioni i kryesuar nga z. Salvador Elmazi, Drejtor i Buxhetit, përfaqësuesit nga Ministritë e Linjës (MAPL, MSH, MPMS, MF), Kryesuesi i Kolegjiumit të Drejtorëve për Buxhet dhe Financa-AKK, Projektit DEMOS dhe KLGI, u priten në takime nga përfaqësuesit e Institucioneve Kroate.
Në ditën parë të vizitës, delegacioni u prit në Ministrinë e Financave të Kroacisë, ku u prezantua Legjislacioni dhe forma e financimit të Pushtetit Lokal, pas kësaj një takim i veçantë u zhvillua me deputeten shqiptare në Parlamentin Kroat, znj. Ermina Përlaskaj-Lekaj, ku ajo foli për angazhimin e saj për ta forcuar bashkëpunimin institucional në mes dy vendeve, Kroacisë dhe Kosovës. Njëkohësisht, u zhvillua takim edhe në Ministrinë e Administratës, ku aty u njohën me kuadrin ligjor të funksionimit të qeverisjes lokale dhe reformat e ndërmarra në fushën e administratës publike.
Në ditën e dytë, delegacioni pati rastin të njihet nga Zëvendës-Auditori i Përgjithshëm Kroat, lidhur me proceset e menaxhimit financiar. Pas kësaj, delegacioni vizitoi Komunën e Rugvicës, ku u pritën nga kryetari dhe diskutuan lidhur me funksionimin e komunës, strukturën e organizimit, financat komunale dhe projektet zhvillimore.
Vizita u përmbyll me takim në Asociacionin e Komunave Kroate, ku nga aty u njohën me sfidat dhe sukseset e arritura nga qeverisja lokale në Kroaci.
Vizita studimore në Republikën e Kroacisë, ishte një mundësi e mirë për t’u njohur me legjislacionin dhe politikat e këtij vendi anëtar të BE-së lidhur me financat e pushtetit lokal dhe funksionimit të qeverisjes lokale në përgjithësi.