Instituti KLGi, në kuadër të programit LGA Empower, mbajti takimin e parë të grupit tematik “edukimi, rinia dhe inovacioni”. Në këtë sesion u diskutua për objektivat dhe agjendën e punës, në funksion të adresimit të sfidave dhe avokimit për përmirësimin e politikave komunale.
Nga diskutimi i fokusuar, u pasqyruan pikat kritike që paraqiten në fushën tematike, e po ashtu u pa se ndër-varshmëria dhe mbivendosja ka shtresëzuar problemet duke i bërë ato vështirë të kalueshme për komunat. Problemet zinxhirore derivojnë nga mungesat financiare, paqartësitë ligjore, mungesa e qëndrueshmërisë së kësaj fushe dhe mungesa e një harte strategjike të veprimit dhe koordinimit.
Pra, në aspektin praktik, qasja ad-hoc dhe e shkëputur e institucioneve dhe mekanizmave tjerë nuk siguron një rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm, nuk garanton gjithpërfshirje dhe parasëgjithash nuk është në hap me trendet rajonale dhe evropiane. Duke qenë të vetmuara, komunat nuk po arrijnë të rrisin dinamikat e veprimit, ndërtimin e kohezionit social dhe zhvillimin e qëndrueshëm njerëzor.
Andaj, në objektivat e punës dhe agjendën e veprimit, grupi tematik do të fokusohet në adresimin e politikave të koordinuara, gjithëpërfshirëse dhe proaktive në funksion të ndër-veprimit si mënyrë dhe formë e fuqizimit të kapaciteteve rinore.
Kjo synohet nëpërmjet adresimit për nevojën e krijimit të konceptit të vetë-qëndrueshmërisë në fushën tematike; qasja pro-aktive e mekanizmave institucional; bërja atraktive e kësaj fushe për sektorin privat; fuqizimi i konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm njerëzor; ingranimi i praktikave të mira; fuqizimi i inovacionit dhe CSR; bërja kompatibile e investimeve në funksion të fuqizimit të kësaj fushe.
Programi LGA – Empower në fazën e parë nëpërmjet grupeve tematike synon të angazhohet në diskutime të fokusuara, avokim dhe adresim të politikave dhe programe të qëndrueshme sektoriale, në avancimin e politikave funksionale, ofrimin e rekomandimeve dhe opsioneve për akterët që angazhohen në nivelin lokal.
Programi mbështetet nga Ambasada Norvegjeze