Me ftesë të Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësues nga Instituti KLGI morën pjesë në konferencën kombëtare “Ligji për Financat e Vetëqeverisjes Vendore – Një vit pas”. Në konferencë prezantuan Ministri Arben Ahmetaj, si dhe përfaqësues të lartë nga USAID dhe SDC, lidhur me arritjet, sfidat dhe hapat në vijim për zbatimin e Ligjit për Financat e Vetëqeverisjes Qendrore.
Në konferencë u theksua se Ligji për Financat e Vetëqeverisjes Vendore bashkë me Ligjin për Vetëqeverisje Vendore janë dy shtyllat bazike të funksionimit efikas të pushtetit vendor (lokal). Me rregullativën e re për financat vendore janë vendosur tri parime bazë: autonomia; disiplina fiskale dhe financiare; dhe mekanizmat për dialog të hapur ndër-qeveritar.
Në panel, Kryetarët e Bashkive dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare prezantuan sukseset pas zbatimit të Ligjit të ri, duke theksuar se kjo u ka mundësuar financim të qëndrueshëm të shërbimeve, projeksione afatgjata zhvillimore dhe njëkohësisht disiplinë, llogaridhënie dhe transparencë.
Megjithatë sfiduese ende mbeten tri çështje: e para, borxhet e trashëguara nga mandate në mandat, e dyta ndërlidhet me zbatimin e tatimit në pronë dhe e treta me mbështetjen specifike për zonat me kapacitete të dobëta ekonomike.
Lidhur me borxhet e trashëguara, Ministri Ahmetaj inkurajoi pushtetin vendor që të programojnë saktë shlyerjen e obligimeve duke ndjekur vizionin e nivelit qendror në këtë drejtim. Në gjithë procesin e hartimit dhe zbatimit të Ligjit të Ri, u vlerësua mbështetja e madhe e ekspertizës ndërkombëtare, njëherësh gjithë përfshirja në proces. Sfidë e madhe del se në kornizat buxhetore të Bashkive, pjesë e konsiderueshme e tyre lidhen me pagat e administratës ndërkaq pjesa e investimeve kapitale nuk siguron financim të qëndrueshëm.
Në konferencë, U.d Drejtori Ekzekutiv të Institutit KLGI z. Besnik Muçaj theksoi se për dallim nga Shqipëria, Kosova në kohë ka pasur instrumente më të qëndrueshme të financimit të komunave por edhe kapacitete të komunave për të mbledhur të hyra. Megjithatë, 10 vite pas zbatimit të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal paraqitet nevoja për ndryshime të politikave dhe legjislacionit në këtë fushë në mënyrë që të sigurohet financim adekuat i shërbimeve në komunë dhe të hapet perspektiva për zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë drejtim, Shqipëria ka bërë progres të veçantë në autonominë fiskale që lidhet me mbledhjen e tatimit dhe të të ardhurave personale.
Në takime të ndara z. Muçaj pati rastin të diskutojë me përfaqësues të lartë institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë qe mbështesin Shqipërinë në këtë fushë në mënyrë që në angazhimet e përbashkëta me komunat e Kosovës të mund të adoptojnë praktikat e mira që janë zbatuar në Shqipëri, siç është ai i projektit “BE në Bashki”. Me këtë rast, në vazhdën e angazhimeve të përbashkëta, Instituti KLGI do të jetë nikoqir i Agjencionit për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore e po ashtu edhe Shoqatës për Autonomi Vendore të Shqipërisë për t`u njohur e shkëmbyer praktikat nga të dyja vendet në nivelin lokal.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave në Shqipëri shprehën gatishmërinë që nën koordinimin e Institutit KLGI të kenë takime të përbashkëta me përfaqësues institucionalë nga Kosova për të shkëmbyer praktika të mira në procesin e hartimit të politikave dhe legjislacionit në fushën e financave lokale.