You are currently viewing Përkundër sfidave komunat e dala nga Decentralizimi kanë dhënë impakt në zhvillimin ekonomik lokal

Përkundër sfidave komunat e dala nga Decentralizimi kanë dhënë impakt në zhvillimin ekonomik lokal

Në kuadrin e mentorshipeve që po ofron Instituti KLGI për 14 komunat nën 22 mijë banorë, si intervenim specifik i dalë nga projekti “Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme – SSSM” mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë, përfaqësuesit e Institutit KLGI kanë vizituar Komunën e Mamushës, ku janë pritur nga kryetari, z. Abdulhadi Krasnic.

Përgjatë takimit kryetari i Mamushës, z. Abdulhadi Krasnic, informoi përfaqësuesit e Institutit KLGI me sfidat, progresin dhe perspektivat e kësaj komune, ku u vlerësua se 10 vite pas procesit të decentralizimit, komuna e Mamushës është konsoliduar dhe ka hapur perspektivë të re, jo vetëm në integrimin e komunitetit turk, por edhe në një perspektivë të re zhvillimore qeverisëse.

Në takim u fol për zhvillimin ekonomik lokal me theks në fushën e bujqësisë, ku dihet se nga kjo komunë furnizohet me produkte një pjesë e konsiderueshme e tregut të Kosovës. Përtej kësaj, një pjesë e bizneseve nga kjo komunë, kanë qenë furnitorë të rëndësishëm të tregut me pjesë të automjeteve.

Sfiduese për këtë komunë ka dalë të jenë dëmet e shkaktuara nga vërshimet, por që megjithatë institucionet qendrore janë zotuar për mbështetje, duke mos lejuar që ky korpus i njerëzve të dekurajohet nga puna e tyre.

Në këtë kuadër është tepër e rëndësishme që institucionet qendrore, në veçanti Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të prodhojë një zgjidhje të qëndrueshme për të parandaluar rrezikun që shkaktohet nga lumenjtë në këtë komunë.

Në fushën e ofrimit të shërbimeve komuna tashmë po vazhdon të konsolidojë administratën, ndërkaq në sferën e shëndetësisë është tejet e rëndësishme që kujdesit shëndetësor t’i ofrohet Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare. Kjo për faktin do t’i mundësonte kapacitete shtesë, qoftë profesionale por edhe teknike.

Në sferën e edukimit, kryetari z. Krasnic kërkoi që të shtohet mbështetja në staf, por edhe përpjekjet e përbashkëta për ngritjen e cilësisë. Kryetari, Krasnic, me këtë rast përmendi edhe projektet infrastrukturore që ka marrë si mbështetje nga niveli qendror, duke përfshirë ndriçimin publik, një zgjidhje të përkohshme për ujin e pijshëm dhe aspekte tjera infrastrukturore.

Kryetari foli për një komunikim të shtuar që ekziston në mes komunës së tij dhe qeverisë qendrore, jo vetëm në adresimin e sfidave, por edhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për funksionim.

Ishte konstatim i përbashkët që institucionet qendrore duhet të hartojnë politika të veçanta që u përgjigjen kontestit të komunave, siç është rasti i Mamushës komunë rurale. Në anën tjetër kryetari Krasnic foli për nevojën e forcimit të kapaciteteve planifikuese në mënyrë që si komunë të arrijë të zgjerojë mundësitë për investime, qofshin nga niveli qendror apo donatorët potencialë.

Përfaqësuesit e Institutit KLGI shprehën zotimin se do të vazhdojnë mbështetjen e kësaj komunë qoftë në fusha sektoriale apo në kërkesa specifike që do të dalin gjatë bashkëpunimit. Duke përgëzuar për miratimin e Buxhetit, aty u theksua se është e nevojshme që edhe më tutje të përmirësohet procesi i konsultimit.

Krejt në fund u adresua edhe sfida dhe nevoja për mbështetjen në fushën e transparencës, ku si mangësi në këtë proces jo vetëm te kjo komunë, por edhe tek një pjesë e komunave të vogla, janë bartur probleme zinxhirore, ku në mungesë të logos zyrtare, Instituti KLGI ka lëshuar një raport me gabim teknik me logo të kësaj komune.

Për këtë është tejet e rëndësishme që komunat përmes Zyrave për informim bashkë me ministritë e linjës të adresojnë nevojën për përdorim unik të logove të komunave, duke i paraprirë edhe nevojës për vendosje të logove nga disa komuna që ende nuk i kanë në ueb-faqe ose në profilet e rrjeteve zyrtare. Si i tillë problemi ka rrjedhur edhe ne dokumentet tjera zyrtare. Njëkohësisht të forcojnë transparencën dhe llogaridhënien përmes përditësimit në ueb-faqe të dokumenteve publike.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit në “Mbështetje për Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme (SSSM)” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.

Lini një Përgjigje