Drejtori Ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Valmir Gashi, ishte i ftuar si panelist në lansimin e analizës së pulsit publik mbi “Ndërveprimin në mes të qytetarëve dhe komunave në kohë krize: studim rasti Covid-19”, organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Gjatë takimit virtual, prezantoi lidhur me temën “Efekti i decentralizimit në ofrimin e shërbimeve në kohë të krizave”, me fokus se në çfarë mase shtrihen kompetencat dhe kapacitetet komunale për t’u ballafaquar me krizat siç është rasti me pandeminë me Covid-19.
Gashi theksoi se Instituti KLGI ka vlerësuar përkushtimin e Komunave të Kosovës në menaxhimin dhe operacionalizimin e masave parandaluese për COVID-19. Në këtë periudhë të përballimit me pandeminë (COVID-19) dhe izolimin social, Komunat e Kosovës, kanë përballuar mirë situatën e emergjencës së shëndetit publik.
Duhet theksuar se decentralizimi i shërbimeve, jo vetëm si princip i Kartës Evropiane, për qeverisje lokale, por si instrument real, ka dhënë elemente të qëndrueshme sikurse: Menaxhimi më afër dhe më shpejt me kërkesat dhe nevojat në situata të tilla; Koordinimi më i mirë dhe shtrirja në secilin lokalitet; Ulja e burokracive dhe njohja me reale me specifikat e problemeve; Ofrimi i ndihmës dhe përkrahjes për shërbimet spitalore dhe proceset e vaksinimit; si dhe procesi i ri-mëkëmbjes pos pandemike.
Pra, komuna mbetet dora e parë e ofrimit të shërbimeve dhe njëkohësisht instrumenti më real, i njohjes, implementimit dhe reagimit qofte në situata të zakonta apo ato emergjente. Andaj, duhet forcuar mbështetjen për agjendën e komunave dhe rangimin më të lartë në politikat nacionale.