Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë ku u diskutuan të gjeturat nga Raporti për Vendin (Kosovën), në fushën e qeverisjes lokale.
Pjesëmarrës ishin zyrtarë për Integrime Evropiane në Komuna dhe përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Gjatë punëtorisë u prezantuan gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për vendin, njëkohësisht u analizuan dhe diskutuan gjetjet në fushat që prekin qeverisjen lokale.
Në periudhën raportuese 2021, qeverisja lokale është analizuar dhe vlerësuar në fusha specifike të kompetencave komunale dhe çështjeve sektoriale dhe ndër-institucionale.
Instituti KLGI ka analizuar Raportin për Vendin dhe ka nxjerrë analizën me fokus çështjet që lidhen me pushtetin lokal, e cila shërben për institucionet, akterët publikë, shoqërinë civile dhe mediat si pikë referuese për sfidat e qeverisjes lokale.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit Dialogu për Komunat Evropiane (DEM)”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.