Takimi i radhës Koordinues i Programit për Angazhim Qytetar solli në pah ide dhe vlerësime shumë të vlefshme mbi Metodologjinë e Monitorimit për Konsultimet Publike në Nivel Lokal, të hartuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) brenda kornizës së Programit për Angazhim Qytetar.
Metodologjia e Monitorimit të Konsultimeve Publike në Nivel Lokal synon të rrisë qasjen proaktive të qytetarëve për të marrë pjesë në procese konsultative komunale, dhe në të njëjtën kohë, të ndihmojë komunat të identifikojnë mangësitë në proceset e tyre të konsultimit publik.
Pjesëmarrësit në takim, të cilët ishin akterë kyç nga organizatat e shoqërisë civile, programet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që punojnë në fushën e pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal e mirëpritën nismën e Programit për Angazhim Qytetar për të nxitur përfshirjen e qytetarëve si dhe kontribuuan me komente dhe sugjerime për pasurimin e draftit të kësaj metodologjie.
Takimet Koordinuese të Programit për Angazhim Qytetar janë një mekanizëm konsultativ shumëpalësh i udhëhequr nga KCSF për të mbështetur rëndësinë kontekstuale të programit përmes diskutimit dhe shkëmbimit të informacionit për të identifikuar hapësira bashkëpunimi dhe/ose sinergji programore në fushën e angazhimit qytetar. Varësisht nga temat e diskutimit, pjesë e këtyre takimeve do të jenë KCSF, USAID, donatorë të tjerë në Kosovë që mbështesin shoqërinë civile, akterë nga sektori privat, mediat, diaspora, si dhe anëtarë nga shoqëria civile.