Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) dhe OSBE-ja në mbështetje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAP) organizuan trajnimin e radhë me komunat e regjionit të Mitrovicës për të diskutuar lidhur me temën “Iniciativat për Bashkëpunim Ndërkomunal”.
Në këtë trajnim u diskutua për mundësitë, format dhe procedurat e bashkëpunimit ndërkomunal. Pjesëmarrësit kishin mundësinë të diskutojnë për bazën ligjore dhe të shohin modelet e mira nga rajoni dhe vendet e zhvilluara.
Bashkëpunimi ndërkomunal nënkupton të drejtën e komunave për të bashkëpunuar dhe krijuar partneritete për të kryer funksione në interes të përbashkët. Gjatë trajnimit, zyrtarët e komunave të regjionit të Mitrovicës kanë diskutuar edhe për nevojat dhe potencialin e tyre për të realizuar projekte të përbashkëta me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe avancimin e zhvillimit ekonomik lokal.
Aktiviteti po realizohet në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.