Në kuadër të programit “Akademia për Qeverisje Lokale (LGA)”, Instituti KLGI mbajti modulin e tretë me temën “Roli i Mediave në Demokratizimin e Komunave” me ç’rast u analizua komunikimi strategjik dhe roli i medias në demokratizimin e komunave, mediat elektronike dhe roli i mediave sociale në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Ligjërues në këtë sesion ishin z. Kushtrim Sadiku, Gazetar në Klan Kosova; z. Leonard Kërquki, Kryeredaktor në Gazeta Express dhe z. Arben Ahmeti, Gazetar në RTV Dukagjini. Temat e trajtuara patën për qëllim informimin e rëndësisë së rolit të mediave dhe praktika të mira të qasjes së komunikimit të komunave me mediat, portalet dhe mediat sociale.
Nisur nga kjo, “Mënyra e përditshme se si qeveriset”, Sa seriozisht trajtohen temat?; Si duket qeverisja karshi qytetarëve?; Cilat janë ambientet e punës?; Si e plasojmë informatën?; Si e pasqyrojnë mediat?; Ku duam ta shohim veten? – E gjitha është një përmbledhje e komunikimit strategjik. Secila ditë pune, secili veprim, si performojnë, si ofrohen shërbimet, si flasim jo-formalisht, është ky koncepti që ndërtohet tek publiku. Pra, ne jemi ata siç na shohin të tjerët. Andaj komunikimi nuk është thjesht detyrë, por strategji.
Politikat komunikuese të autoriteteve lokale janë të varura direkt nga strategjitë dhe veprimet e këtyre të parave, në rend të parë në komunikimin e brendshëm e për të kaluar në atë me akterët tjerë. Shkëmbimi i informacioneve zvogëlon burokracinë për qytetarët, modernizon proceset e punës dhe pasuron formulimin, implementimin dhe vlerësimin e politikave. Informacionet dhe teknologjitë e reja të komunikimit ofrojnë mënyra që pasurojnë dhe përmirësojnë komunikimin dhe rrjedhën e informacionit.
Sigurimi i informacioneve për qytetarët mbi prioritetet, programet dhe aktivitetet rrit gjasat që autoriteti publik të shihet si legjitim nga qytetarët dhe grupet e interesit, duke kontribuar në fuqizimin e politikave lokale. Po ashtu ndihmon të zgjedhurit dhe administratën në vendim-marrje të informuar.
Kërkesat e komunikimit shpesh tërheqin institucionet qeveritare në drejtime të kundërta. Nga njëra anë, komunat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme për të ruajtur kredibilitetin dhe për të përmbushur pritjet për transparencë dhe llogaridhënie. Në anën tjetër, institucionet duhet të veprojnë si avokatë për politikat e tyre. Sfidë kryesore për komunikimin efektiv del të jetë besueshmëria dhe kredibiliteti, duke avokuar politika në një ambient të kontestuar të komunikimit. Këto ishin temat kyçe që u trajtuan nëpërmes një diskutimi të hapur dhe pro-aktiv.
Ndër të tjera, u potencua se në komuna ekzistojnë probleme bazike të zyrave për informim, nisur nga komunikimi, monitorimi dhe qasja jo pro-aktive. Për rrjedhojë, është esenciale që të vendoset një standard për të gjitha komunat lidhur me funksionimin e ekipit të zyrave për informim dhe të mendohen hapa konkret për strategji që shpërfaqin prioritete në funksion të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes.
U theksua se duhet shtuar përpjekjet sinergjike të komunave për të forcuar zhvillimet lokale. Mbi këtë, supozohet se inputi i tyre për të zgjedhur problemet lokale do të ketë më shumë rëndësi në rast se ka komunikim efektiv. Shkëmbimi i pikëpamjeve, ideve dhe eksperiencave në nivel lokal mund të sjell ekspertizën e duhur, e në të njëjtën kohë kuptim të plotë, angazhim dhe mbështetje.
Konkludim i përgjithshëm ishte se roli i medias në funksionimin e komunave dhe institucioneve është qenësor, duke fuqizuar ndjeshëm gjithëpërfshirjen, dialogun dhe pranueshmërinë.
Pjesëmarrësve u shpërndanë edhe dy udhëzues të hartuar në kuadër të projektit “Një përpjekje drejt një qeverisje lokale të qëndrueshme dhe funksionale”; ai për praktikat e mira të komunikimit efektiv të komunave me akterët lokal dhe për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në nivelin lokal.
Ky program mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë