Instituti KLGI mbajti punëtorinë me temën “Prezantimi i Pakos Ligjore për Transparencë Komunale”, e cila kishte për qëllim të bëjë bashkë akterët nga niveli qendror dhe lokal për të diskutuar për Udhëzimin Administrativ për Transparencë në Komuna; Udhëzimin Administrativ për Standarde Minimale të Konsultimit Publik në Komuna; Udhëzimin Administrativ për Procedurën e Themelimit, Përbërjen dhe Kompetencat e Komiteteve të Përhershme në Komunë dhe Udhëzimin Administrativ për Funksionimin e Qendrave të Shërbimeve të Qytetarëve.
Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin zyrtarë nga Sekretariatet e Kuvendeve Komunale.
Udhëzimi Administrativ për Transparencë në Komuna ka për qëllim fuqizimin e transparencës së organeve të komunës, informimin, publikimin e akteve normative, vendimeve dhe dokumenteve të nxjerra nga organet e komunës, që janë në interes të qytetarëve dhe grupeve tjera të interesit si dhe rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
Komunat obligohen që të gjitha vendimet, aktivitetet dhe dokumentet, të bëhen transparente dhe të qasshme për publikun, si dhe të zbatojnë mekanizma për përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Para se gjithash shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet bazuar në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës, parime këto që janë detyrime bazike kushtetuese për secilin institucion publik që mbledh apo shpenzon të hyra publike.
Ndërkaq, Udhëzimi Administrativ për Standarde Minimale të Konsultimit Publik në Komuna ka për qëllim nxitjen dhe sigurimin nga ana e autoriteteve lokale të pjesëmarrjes së qytetarëve dhe palëve të tjera të interesuara gjatë procesit të politikbërjes dhe vendimmarrjes në nivel lokal, të promovoj transparencë komunale, si dhe të ndikoj në zhvillimin e politikave të qëndrueshme në interes të përgjithshëm.
Udhëzimi Administrativ për Procedurën e Themelimit, Përbërjen dhe Kompetencat e Komiteteve të Përhershme në Komuna, rregullon procedurën e themelimit, organizimin dhe kompetencat e komiteteve konsultative në komunë. Megjithatë, janë trupa ndihmës të Kuvendit të Komunës, që përmes tyre të garantohet që organet e komunave të jenë më transparente, më efikase dhe të japin llogari qytetarëve. Para se gjithash, përmes komiteteve konsultative në komuna të krijohet mundësia për pjesëmarrjen aktive të qytetarëve dhe grupeve tjera të interesit në procesin e vendimmarrjes për interes publik.
Përgjatë kësaj punëtorie u zhvilluan diskutime, prezantime për temat e lartë përmendura që kanë të bëjnë me pakon ligjore për transparencë komunale.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.