Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) organizoi punëtorinë virtuale me temën “Bashkëpunimi ndër-komunal dhe ndër-kufitar”. Takimi kishte për qëllim diskutimin lidhur me sfidat dhe përpjekjet për të promovuar dhe fuqizuar bashkëpunimin ndër-komunal në funksion të qeverisje së mirë dhe zhvillimit ekonomik lokal.
Pjesëmarrës në këtë sesion trajnues ishin kryesuesit e Kuvendeve Komunale dhe përfaqësues nga kabinetet e kryetarëve të komunave.
Përgjatë diskutimit u theksua se bashkëpunimi ndër-komunal është i rëndësishëm në funksion të zhvillimit më të shpejtë ekonomik lokal, të efikasitetit dhe efektivitetit të ofrimit të shërbimeve.
Megjithatë, bashkëpunimi ndër-komunal nënkupton vendosjen e marrëdhënieve midis dy apo më shumë komunave në bazë të marrëveshjes për ushtrimin më efikas dhe më efektiv të kompetencave dhe detyrave vetanake të komunave. Para së gjithash, për realizimin e interesave dhe qëllimeve të tyre të përbashkëta në fushën e shërbimeve publike komunale.
Në këtë aspekt, akterët kryesorë duhet të forcojnë dhe intensifikojnë bashkëpunimin ndër-komunal për të shfrytëzuar mundësitë që ofron kjo fushë, në të kundërtën kjo rezulton më humbje të burimeve, potencialit financiar e njerëzor.
Ndërkaq, bashkëpunimi ndërkufitar është i nevojshëm për të përmirësuar zhvillimin ekonomik lokal dhe për të nxitur kontaktet mes njerëzve në zonat kufitare, duke përfshirë autoritetet lokale dhe rajonale, si dhe të gjitha palët e interesuara.
Instituti KLGI u është përkushtuar analizave dhe studimeve që i kontribuojnë praktikave efektive të qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu, KLGI nëpërmjet programeve edukative punon në ngritjen e kapaciteteve të komunave të vendit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të platformës “Kosova që Duam” me mbështetje të Friedrich Ebert Stiftung – FES.



