Ambasadori Norvegjez, Per Strand Sjaastad, nën koordinimin e z. Besnik Tahiri, Drejtor Ekzekutiv i Institutit KLGI vazhduan me vizitën në komunën e Gjakovës, me ç’rast u takuan me Kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe përfaqësuesit e komunës.
Ambasadori Sjaastad shfaqi interesim për mundësitë që ofron komuna e Gjakovës për investitorët e jashtëm, derisa diskutoi për sfidat e kësaj komune me përfaqësuesit lokal.
Fokus i veçantë në këtë takim ishte qasja e komunës së Gjakovës në marrjen e kredive zhvillimore me qëllim të zhvillimit ekonomik të Komunës. Me këtë rast, z. Luan Gola, Kryesues i Kuvendit Komunal prezantoi projektet ekonomike që po realizohen në komunë të cilat mbështeten kryesisht nga faktori ndërkombëtar dhe po ashtu rëndësinë e investimeve të huaja në Gjakovë.
“Zona ekonomike është shumë e rëndësishme për komunën e Gjakovës; pjesa veriore është privatizuar, por ajo jugore është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, andaj komuna po provon të ja jap investitorit të duhur,” shprehet Gola, duke shtuar se për gjakovarët mbetet i rëndësishëm zhvillimi industrial.
Ndërkaq, sipas z. Besnik Tahiri, problem kyç për komunat, përfshirë Gjakovën, mbeten fondet në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.
Ata vizituan edhe qarshinë e Gjakovës, për t’u njohur me qytetin dhe ato që ofron kjo komunë.