Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Republikën e Kosovës, z. Jens Erik Grondahl, së bashku me drejtorin ekzekutiv të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, z. Valmir Gashi, zhvilluan një vizitë në komunën e Gjilanit, ku janë pritur nga kryetari i kësaj komune z. Alban Hyseni.
Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi i Ambasadorit Grondahl me progresin dhe sfidat me të cilat ballafaqohet kjo komunë. Theks të veçantë patën aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, digjitalizimin dhe funksionimi efikas.
Me këtë rast z. Hyseni, duke falënderuar Ambasadorin Grondahl për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës Norvegjeze, theksoi se në fokus kanë ofrimin e shërbimeve më të mira dhe më efiçente për qytetarët dhe promovimin e digjitalizimit. Digjitalizimi kërkon një përgjigje konkrete dhe hapa më të shpejtë, përfshirë të gjitha shërbimet që ofron niveli lokal.
Duke folur për projekte zhvillimore të Komunës së Gjilanit dhe rritjen e potencialit ekonomik, kryetari Hyseni bëri një prezantim informues të historisë së Gjilanit dhe industrive dhe sektorëve më të mëdhenj të cilët ndikojnë në tërheqje të investimeve të huaja.
Gjatë kësaj vizite u konkludua se Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë po luan një rol të veçantë dhe angazhim serioz në përkrahje të nivelit lokal, qoftë nëpërmjet përkrahjes së drejtpërdrejtë apo programeve për fuqizimin e kapaciteteve siç është Instituti KLGI.
Aktiviteti u realizua në kuadrin e programit ‘Dialogu për Komunat Evropiane’ (DEM), i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.