Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Republikën e Kosovës, z. Per Strand Sjaastad, së bashku me drejtorin ekzekutiv të Institutit KLGI, z. Besnik Tahiri, zhvilluanë një vizitë në komunat e regjionit të Gjilanit, duke përfshirë komunat amë dhe ato të dala nga procesi i decentralizimit.
Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi i Ambasadorit Sjaastad me progresin e komunave dhe sfidat me të cilat ballafaqohen ato, e në të njëjtën kohë u njohën me përfitimet nga programi edukativ Akademia për Qeverisje Lokale dhe programi për fuqizimin e komunave (LGA-Empower) që mbështeten nga Ambasada Norvegjeze.
Po ashtu u pa se si qëndron bashkëpunimi i komunave të decentralizuara me komunat amë. Theks të veçantë patën aspektet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, kapacitetet financiare dhe funksionimi efikas.
Ata filluan vizitën me komunën e Gjilanit, ku u pritën nga kryetari i komunës, z. Lutfi Haziri, me ç’rast u njoftuan lidhur me zhvillimet dhe interesat që ka kjo komunë. Me këtë rast, z. Haziri ka falënderuar ish-Ambasadorin Brathu dhe tash ambasadorin Sjaastad për mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës Norvegjeze.
Po ashtu, z. Sjaastad dhe z. Tahiri janë pritur edhe nga përfaqësuesit e komunës së Parteshit si pjesë e rrjetit LGA. Ata patën rastin të njihen me progresin e kësaj komune, si një komunë e re në Republikën e Kosovës.
Takimet vazhduan edhe me komunën Kllokotit ku panë mundësitë e zhvillimit ekonomik nëpërmjet shfrytëzimit të resurseve dhe bashkëpunimit me sektorin privat. Ndërkaq në komunën e Vitisë diskutuan për projektet e realizuara dhe për hapat e ndërmarrë në zhvillimin ekonomik.
Gjatë kësaj vizite në komuna u konkludua se Norvegjia po luan një rol të veçantë dhe angazhim serioz në përkrahje të nivelit lokal qoftë nëpërmjet përkrahjes së drejtpërdrejtë apo programeve për fuqizimin e kapaciteteve nëpërmjet partnerëve siç është Instituti KLGI.