Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, z. Per Strand Sjaastad, së bashku me Institutin KLGI organizuan pritje për të gjithë Kryetarët e Komunave të Kosovës, përfaqësues të ministrive të linjës si dhe partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, për të zhvilluar një diskutim joformal për arritjet, sfidat dhe perspektivat në fushën e Qeverisjes Lokale në Kosovë.
Ky takim u organizua për projektin “Mbështetje të Komunave më të Forta dhe më të Qëndrueshme” financuar nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë dhe implementuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.
Ambasadori Norvegjez z. Sjaastad në fjalën e tij theksoi se ky takim ka për qëllim diskutimin se si të përparohet qeverisja lokale. Kosova ka bërë arritje të madhe në dhjetë vitet e fundit pas pavarësisë së saj duke vendosur një sistem gjithëpërfshirës të qeverisjes lokale. Ambasada e Norvegjisë do të jetë një partner afatgjatë, konstruktiv për qeverisjen lokale, njëkohësisht mbështetës i Institutit KLGI.
Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, z. Besnik Tahiri, duke falënderuar Ambasadën e Norvegjisë për mbështetje në qeverisjen lokale, theksoi se nëse komunat prodhojnë rezultate, shteti është i suksesshëm, për shkak se komuna është dora e parë e shtetit që ofron shërbime për qytetarët e Kosovës. Sa i përket llogaridhënies, ai theksoi se nuk duhet të mbetet asgjë në dy adresa, por çështjet të trajtohet deri në realizimin e tyre.
Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Muçaj, duke prezantuar projektin SSSM theksoi se për më pak se 1 vit e gjysmë janë mbi 500 përfitues direkt nga të gjitha komunat; përfaqësues nga ministritë e linjës dhe shoqëria civile. Është e pamohueshme se Qeverisja Lokale ka shënuar rezultate, për të cilat tregojnë raportet vendore dhe ndërkombëtare.
Përkundër progresit, mbetet ende për t’u bërë në Forcimin e demokracisë lokale; Rritjen e pjesëmarrjes, Transparencës dhe llogaridhënies; Përfaqësimi i barabartë gjinor në pozita drejtuese dhe vendim-marrje; Përfshirje të komunitetit dhe Shoqërisë Civile; Para se gjithash, rritjen e pronësisë së qytetarëve në politikat lokale.
Qëllimi kryesor i këtij projekti SSSM është rritja e funksionalitetit, qëndrueshmërisë dhe pronësish në relacion me kompetencat dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushën e qeverisjes lokale.
Projekti si i tillë ndahet në 4 komponentë të implementimit: Përmirësimi i legjislacionit dhe ulja e ambiguitetit në fushën e qeverisjes lokale; Mentorshipet dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndër-komunal, ndër-institucional dhe ndër-komunitar; Trajnimet për zyrtarët e nivelit lokal; Fuqizimi i shoqërisë civile në nivel lokal.